Flash News

E-TJERA

EUROJUST godet rrjetin franko-italian dhe shqiptar të krimit të organizuar: 1 mln euro u pastruan në Tiranë

EUROJUST godet rrjetin franko-italian dhe shqiptar të krimit të

Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga EUROJUST ka goditur një rrjet të strukturuar kriminal franko-italian dhe shqiptar, i dyshuar për një sërë veprash të rënda, përfshirë vrasje mafioze, trafik droge dhe pastrim parash.

Sipas të dhënave hetimore, aksioni është shtrirë në Itali dhe Shqipëri, ku janë arrestuar 12 persona dhe janë lëshuar urdhër-ndalime për tre të tjerë. Grupi kriminal dyshohet se lidhet me një vrasje të bujshme të ndodhur vitin e kaluar në territorin italian.

Hetimet kanë nisur pas një përplasjeje të ndodhur më 25 maj të vitit të kaluar në një lokal në rajonin e Barit, e cila më pas është përshkallëzuar në një ekzekutim brutal me metoda mafioze. Viktima u gjet e pajetë në një zonë të izoluar në “Alta Murgia”.

Gjatë hetimeve është zbuluar se ngjarja lidhet me një rrjet të trafikut të drogës, i drejtuar nga një shtetas shqiptar, ndërsa më pas skema kriminale është zgjeruar edhe në pastrim parash në nivel ndërkombëtar.

Sipas EUROJUST, grupi dyshohet se ka qarkulluar rreth 1 milion euro përmes transfertave të strukturuara drejt Shqipërisë, me qendër operative në Tiranë.

Në total, 15 persona janë vënë nën hetim për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim në mënyrë mafioze, tentativë gjobëvënieje, armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit.

Operacioni është rezultat i bashkëpunimit të skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT) mes Prokurorisë së Barit dhe SPAK në Tiranë.

Sipas autoriteteve, që prej vitit 2018 janë ngritur disa skuadra të përbashkëta hetimore mes palëve shqiptare dhe italiane, të cilat kanë goditur rrjete të trafikut të drogës, me mbi 170 të arrestuar dhe sekuestrime që kalojnë 7 ton lëndë narkotike.

Në aksionin e fundit kanë marrë pjesë Antimafia e Barit, Policia Italiane, Atasheu i Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, si dhe SPAK dhe Policia e Shtetit Shqiptar.

Të fundit