Flash News

E-TJERA

Gjykata e Fierit në vështirësi: Dy gjyqtarë në një sallë për shkak të mungesës së ambienteve

Gjykata e Fierit në vështirësi: Dy gjyqtarë në një

Problematikat infrastrukturore dhe ngarkesa në rritje e çështjeve gjyqësore po krijojnë vështirësi në funksionimin normal të Gjykatës së Shkallës së Parë me juridiksion në Fier. Këto shqetësime u bënë publike në analizën vjetore të institucionit për vitin 2025.

Sipas kreut të gjykatës, Noel Veizi, kushtet aktuale të punës nuk janë optimale, ndërsa një nga problematikat më të theksuara mbetet mungesa e sallave të gjykimit.

Veizi bëri me dije se aktualisht gjykata ka 18 gjyqtarë, por pritet që ky numër të shkojë në 21, çka do të rëndojë më tej situatën infrastrukturore. Në disa raste, sipas tij, do të lindë nevoja që dy gjyqtarë të punojnë në të njëjtën sallë.

Një tjetër shqetësim i evidentuar gjatë analizës është rritja e rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2025, duke reflektuar një ngarkesë të shtuar për sistemin gjyqësor në Fier.

Drejtuesit e gjykatës kanë ritheksuar nevojën për ndërtimin e një godine të re, kërkesë që, sipas tyre, ende nuk ka marrë miratimin e institucioneve kompetente.

Edhe përfaqësues të Dhomës së Avokatisë Fier ngritën shqetësime mbi kushtet e punës. Kreu i saj, Ermal Hamataj, deklaroi se avokatët nuk kanë ambiente të përshtatshme për takime me klientët dhe në disa raste ndihen të trajtuar në mënyrë jo korrekte.

Gjatë një tryeze të rrumbullakët ku u prezantua analiza vjetore, u krye edhe një vëzhgim informal mbi pjesëmarrësit. Sipas tij, nga rreth 60 të pranishëm, vetëm një pjesë e vogël mbanin sende personale me vlerë, ndërsa pjesa tjetër nuk kishte të tilla në duar.

Të fundit