Flash News

E-TJERA

Helmimi i studentëve, Prokuroria e Tiranës shkresë AKU-së: Pse zhbllokuat aktivitetin e “Sori-al”?!

Helmimi i studentëve, Prokuroria e Tiranës shkresë AKU-së:

Prokuroria e Tiranës i dërgoi tjetër shkresë AKU-së, duke i kërkuar se çfarë ndodhi gjatë hetimit administrativ për helmimin e 56 studentëve në Akademinë e Policisë, ku fillimisht ky institucion e bllokoi aktivitetin e kompanisë Sori Al dhe më pas e zhbllokoi.

Organi i akuzës kërkon të sqarojë procedurat dhe motivet që çuan në heqjen e bllokimit administrativ.

Prokuroria ka sekuestruar edhe kartelat e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilat më pas i janë deleguar për ekspertim Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), për verifikime të mëtejshme.

Sipas AKU-së, janë marrë mostra për higjienën ambientale dhe pajisjet e punës në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, si dhe në kuzhinën e Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë.

Analizat janë kryer në laboratorin e Referencës ISUV dhe rezultatet kanë dalë brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.

Pas këtyre rezultateve, AKU zhvilloi inspektime në ambientet e Akademisë së Sigurisë dhe në Garnizonin e Forcave të Armatosura.

Në përfundim të procedurës, AKU vendosi zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”. Gjithashtu, subjektit i është kërkuar të kryejë analiza autokontrolli për produktet e gatshme në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Më parë u mbyll aktiviteti

Më 14 maj AKU njoftoi se nga analizat e kryera në laboratorin e referencës ISUV rezultoi se tetë prej mostrave ishin brenda normave të lejuara, ndërsa një mostër makarone, produkt i gatshëm i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, rezultoi jokonforme për shkak të ngarkesës mbi normë me bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaze pozitive.

Për këtë arsye, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit për subjektin “SORI-AL”, me administratore Alma Tafani.

Gjithashtu, ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.

Të fundit