Flash News

E-TJERA

Koeficientët e klubeve, UEFA: Në Shqipëri kryeson Laçi

Koeficientët e klubeve, UEFA: Në Shqipëri kryeson Laçi

Disa orë më parë, ekzekutivi europian i futbollit, UEFA, përditësoi koeficientët e klubeve që aderojnë në këtë organ. Lista që në përbërje ka 423 skuadra, përpilohet në bazë të rendimentit të tyre në kupat e Europës, në pesë vitet e fundit. Po ashtu, ajo ndihmon UEFA-n në renditjen e tyre, gjatë momentit të hedhjes së shorteve.

Në bazë të klasifikimit të muajit shkurt, Laçi është klubi më i mirë prej atyre në Shqipëri dhe për këtë motiv do të ketë një short më të favorshëm në momentin që do të jetë pjesë e shorteve të kompeticioneve të UEFA-s. Në pesë sezonet e fundit, skuadra nga Kurbini ka arritur të grumbullojë 7 mijë e 500 pikë duke u renditur e 174-ta.

Në këtë klasifikim, i dytë ekip i pozicionuar më mirë në vendin tonë është formacioni i Partizanit, i 254-ti dhe kjo pasi në pesë sezonet e fundit ka grumbulluar 5 mijë pikë.

Pak vende më poshtë ndodhen edhe Teuta e Kukësi, respektivisht e 280-ta dhe i 282-ti. Ato kanë një shifër të barabartë pikësh (4 mijë e 500).

Ndërkaq, falë 4 mijë pikëve të grumbulluara në pesë sezonet e fundit, skuadra e Tiranës mban vendin e 298-të teksa në të njëjtën periudhë kohore, shkodranët e Vllaznisë kanë vetëm 3 mijë pikë duke u renditur të 338-ët.

E fundit mes skuadrave shqiptare të futbollit është ajo e Luftëtarit, me vetëm 1 mijë pikë të mbledhura dhe që e lejojnë të renditet në pozicionin e 411-të.

Sa i përket klubeve që kanë koeficientin më të mirë janë: Bayern-i (132 mijë pikë), ndjekur nga City po me (132 mijë pikë) dhe Liverpool (123 mijë pikë). Pesë vendet e para i plotëson skuadra e Chelsea-it dhe ajo e Real-it e që respektivisht kanë nga 123 mijë e 112 mijë pikë.

Të fundit