Flash News
Sherr brenda kafazit të xhamit, të pandehurit dhunojnë njëri-tjetrin në GJKKO
Vala e të nxehtit vjen në Shqipëri, temperaturat deri në 40 gradë
Panik në pushtet? Rama sulmon protestuesit që kërkojnë largimin e tij: Budallenj, mendje të cekëta
Këmbimi valutor 15 qershor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro
“Rama ik”, shqiptarët e Gjermanisë protestë në Berlin kundër qeverisë

Dhjetëra banorë vendas dhe aktivistë u mblodhën të shtunën, më 23 maj, në lagunën e Nartës për të protestuar kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros – pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë – nga një kompani ndërtimi, e cila ka siguruar leje nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një resorti masiv turistik në zonë.
Protestuesit mbanin në duar banderola në mbrojtje të natyrës dhe kundër oligarkisë – biznesmenëve vendorë të lidhur me qeverinë, të cilët ata i akuzojnë se po ua rrëmbejnë në mënyrë të paligjshme pronat.
“Vlora e Shqipërisë! Jo e mafies, jo e oligarkisë”, shkruhej në një nga parullat që mbanin protestuesit, ndërsa u përballën me një kordon policësh të thirrur për të mbrojtur kantierin dhe makineritë e rënda.
Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë. Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Por dokumentet e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se, pas profilit publik të sofistikuar të familjes presidenciale amerikane, fshihet një rrjet vendor individësh dhe kompanish, ku përfshihet një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.
Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, pavarësisht lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, KKTU, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Ata nuk pyesin. Janë shumë të fortë, sepse kanë pushtetin”, tha Minella Balliu, një prej banorëve të përfshirë në betejat ligjore mbi pronën e Pishë Poros, i cili iu bashkua protestës së 23 majit.
Zyra e kryeministrit Edi Rama tha përmes një përgjigjeje me shkrim se KKTU nuk ishte përgjegjëse për të kontrolluar kartelat e pronësisë dhe konfliktet gjyqësore të lidhura me to, ndërsa theksoi se institucionet nuk punojnë “as me pretendime, as me hamendësime apo paragjykime, por me dokumentacion dhe mekanizma ligjorë”.
“Fakti që ka apo nuk ka pretendues dhe procese lidhur me një pronë apo një tjetër, nuk ka asnjë lidhje me procesin ligjor të shqyrtimit të aplikimeve për leje ndërtimi,” deklaroi Kryeministria.
“Ndërkohë, kartelat e pasurive të paluajtshme nuk janë objekt hetimi apo gjykimi nga organet ekzekutive të shtetit,” shtoi ajo.
Pronarë në parajsë
Bregdeti i Zvërnecit dhe i Pishë Poros, një nga peizazhet më të paprekura të Adriatikut shqiptar, me plazhe ranore dhe shkëmbinj të thepisur që zbresin drejt detit, ka qenë prej vitesh në qendër të interesit të ndërtuesve dhe investitorëve turistikë për zhvillim.
Për shkak të natyrës së pacenuar dhe lagunës që strehon shpendë migrues si flamingot, zona mban statusin e Peizazhit të Mbrojtur, ndërsa brenda saj gjenden tre monumente natyrore: laguna e Limopuos, ishulli i Manastirit dhe dunat e rralla të rërës ku folezojnë breshkat detare.
Megjithatë, kjo nuk i ka penguar qeveritë ndër vite të miratojnë plane zhvillimore, ndërsa biznesmenë të njohur kanë “magazinuar” prej kohësh qindra mijëra metra katrorë tokë nga Triporti deri në grykëderdhjen e Vjosës, duke i blerë ato nga pronarë shpesh të kontestuar ose të përfshirë në procese gjyqësore.
Rruga për zhvillimin e zonës u hap në vitin 2021, kur qeveria uli statusin e mbrojtjes së ekosistemit Pishë Poro-Nartë, e reduktoi atë me mbi 5 mijë hektarë dhe dha leje për ndërtimin e një aeroporti në Akërni.
Në mars 2024, pak pasi ndryshimet e kontestuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura i hapën rrugë ndërtimeve me pesë yje, Jared Kushner deklaroi për median amerikane planet e tij për të investuar në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Sipas planeve fillestare, në Zvërnec parashikohej ndërtimi i rreth 10 mijë njësive akomoduese përgjatë rripit të gjelbër që ndan lagunën e Nartës nga deti.
Në gusht 2024 u themelua shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila zotërohet nga një zinxhir kompanish guackë nën menaxhimin e trustit holandez “Dutch Trust Management B.V.”.
Një prej kompanive në këtë zinxhir offshore, “Blue Industries Investment Holding B.V.”, zotërohet nga pesë individë anonimë nga Shqipëria, emrat e të cilëve mbrohen ligjërisht pasi asnjëri nuk zotëron më shumë se 25% të aksioneve.
Brenda tetë muajsh nga themelimi, kjo kompani siguroi dy leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pikërisht mbi zonat ku Jared Kushner ka deklaruar se do të investojë.
Dokumentet e marra nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, AZHT, tregojnë se është aplikuar për një leje që parashikon 47 mijë metra katrorë ndërtime në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh në Pishë Poro, me një investim të deklaruar prej 2.6 miliardë lekësh.
Kompania offshore ka lidhur kontrata sipërmarrjeje me individë dhe kompani që figurojnë pronarë të mbi 2.5 milionë metrave katrorë tokë, ose 251 hektarë, në Zvërnec dhe Nartë.
Dokumentet e AZHT-së dhe një sërë vendimesh gjyqësore tregojnë se origjina e këtyre pronave lidhet ngushtë me biznesmenin kontravers nga Vlora, Artur Shehu, i cili banon në SHBA, dhe me ish-avokatin e familjes së tij, Pëllumb Petritaj, i akuzuar disa herë për falsifikim dokumentesh.
Shehu dhe persona të lidhur me të – mes tyre Ferdinant Sulaj – kanë nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë zhvilluese si pronarë të parcelës me sipërfaqe prej rreth 108 hektarësh tokë.
Aktualisht, ai dhe të afërm të tij janë palë në disa procese gjyqësore për pronat e përfshira në këtë projekt. Edhe pse jeton jashtë vendit prej dekadash, Shehu rezulton ndër përfituesit më të mëdhenj të një sërë skemash të hetuara për tjetërsim pronash në Vlorë.
Një pjesë e këtyre hetimeve, të lidhura me parcela toke në gadishullin e Karaburunit, janë mbyllur me konfiskimin e pronave, ndërsa procedime të tjera janë ende në gjykim.
Vetë Shehu nuk është nën akuzë. Emri i tij është lidhur herë pas here me aktivitete kriminale dhe u përmend së fundmi në një dokumentar të televizionit italian “Rai” për hetime të mëparshme lidhur me organizatën mafioze, Sacra Corona Unita.
Shehu nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa një avokate e tij në Vlorë tha se nuk kishte më tagër përfaqësimi. Sulaj ishte gjithashtu i paarritshëm.
Një tjetër sipërfaqe prej 78 mijë metrash katrorë zotërohet nga Feriare Ndreu (Petritaj), vajza e Pëllumb Petritajt. Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar në shkallë të parë dhe i arrestuar disa herë.
Ai ka qenë me masë sigurimi “arrest shtëpie” deri në mesin e vitit të kaluar dhe mbetet ende nën masë sigurimi, në pritje të përfundimit të proceseve penale në Apel për falsifikimin e dokumenteve që i dhanë prona masive familjes Shehu në bregdet, përfshirë pronat e lidhura me resortin në Pishë Poro dhe zonat përreth tij.
Në një reagim publik në maj 2024, Petritaj pretendoi pafajësi për veten dhe për Shehun. Vajza e tij nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.
Ndërkohë, një tjetër palë në kontratën e sipërmarrjes është kompania “AM-Invest”, e cila zotëron 25 mijë metra katrorë tokë. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij.
Malaj ka gjithashtu një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim.
Malaj dha dorëheqjen në vitin 2020 dhe u përjashtua nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut në shkurt 2021. Me rreth 1.7 milionë euro pasuri të deklaruar, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Gjatë procesit të vetingut, Malaj pretendoi se po bëhej viktimë e një komploti.
Ish-gjyqtari ishte i paarritshëm për koment, por vëllai i tij, Agron Malaj, mohoi kategorikisht që toka në pronësi të kompanisë së tij të kishte lidhje me vendimet e dhëna nga i vëllai.
“Këto vendime nuk kanë lidhje me pasurinë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se toka ishte blerë për rreth 80 milionë lekë përmes kompanisë nga një biznesmen i palidhur me familjen Shehu në vitin 2021.
“Toka është blerë nga unë përmes kompanisë dhe është paguar me bankë”, shtoi ai.
Sipërfaqja më e madhe në projekt, rreth 1.2 milionë metra katrorë tokë, zotërohet nga “South Adriatic Development”, një kompani në pronësi 100% të Redi Strugës përmes “Smart Construction Invest”.
Struga është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k. Kompania e Strugës i ka blerë pronat nga zotërues të tjerë, përfshirë kompaninë “SERE” të grupit Balfin. Struga shërben përmes kompanisë “Albanian Land Development” si ura lidhëse me vëllezërit miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, të cilët investojnë krah Kushnerit. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve mbi rolin e tij në këtë projekt.
Lista e bashkëzhvilluesve mbyllet me kompaninë “Ferdinant”, e regjistruar për prodhimin e mobilieve dhe në pronësi të biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u vra në fillim të vitit 2025 në rrethana ende të paqarta, por që dyshohet se lidhen me një konflikt pronësie në Tiranë.
Kompania e tij zotëron 94,500 metra katrorë tokë, ndonëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit figuron në proces likuidimi që prej vitit 2009.
Dora e “padukshme” e Kastratit
Për dy ditë me radhë, në fund të janarit, qetësia e fshatit piktoresk të Zvërnecit u prish nga masat e rrepta të sigurisë dhe një eskortë e gjatë fuoristradash të zeza.
Zona buzë lagunës së Nartës u shndërrua përkohësisht në qendër të vëmendjes për shkak të pranisë së Ivanka Trump, vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara. E rrethuar nga një shpurë arkitektësh dhe biznesmenësh, ajo vizitoi manastirin e vjetër të Shën Mërisë dhe u takua me kryeministrin Edi Rama.
Në takime, siç del nga një fotografi e publikuara gjerësisht në media, ishte i pranishëm edhe Musa Kastrati, djali i biznesmenit Shefqet Kastrati.
Ky i fundit është zotërues i Kastrati Group, një konglomerat që kontrollon pjesë të mëdha të tregut në një sërë sektorësh strategjikë, nga tregu i karburanteve dhe sigurimet deri te menaxhimi ekskluziv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa është i përfshirë edhe në projekte madhore në turizëm dhe pasuri të paluajtshme.
Grupi është akuzuar për favorizime nga qeveria, përfshirë marrjen e koncesioneve dhe pasurive publike me çmime simbolike. Disa projekte të tij, si në rastin e portit të Limionit, janë nën hetim për shkelje të ligjit.
Prania e Musa Kastratit në takimet e Ivanka Trump në Shqipëri dhe në Zvërnec nuk ishte përmendja e parë e tij në lidhje me projektet për resorte në gadishullin e vogël dhe në ishullin e Sazanit. Në mars 2024, Kastrati u citua nga The New York Times të thoshte se kompania do të kishte një rol në projektet që Kushner do të zhvillonte në Shqipëri, por se ky rol ishte ende i papërcaktuar.
Biznesmenë që zotërojnë sipërfaqe toke në zonën përreth projektit pohuan gjithashtu rolin e Kastratit aty, ndërsa i thanë BIRN-it, në kushte anonimati, se Musa Kastrati u kishte propozuar bashkëpunim ose blerje të pronës.
Emri i kompanisë u lakua menjëherë edhe pas fillimit të punimeve për rrethimin e peizazhit të mbrojtur për zhvillimin e projektit, pasi aktivistët fotografuan makineri të kompanisë në zonë. Banorë të Zvërnecit dhe pretendues të pronës ku po zhvillohen punimet u përballën po ashtu me persona të lidhur me kompaninë Kastrati, kur kundërshtuan ngritjen e rrethimit.
“Një miku im më ftoi për kafe dhe më tha se më kërkonte për takim nipi i Kastratit [Shefqetit]”, tha Minella Balliu në një bisedë telefonike. Ai tregoi se më pas takoi një person që u prezantua si Dervish Dina.
Edhe Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec, tha në një bisedë telefonike me BIRN se, kur kërkuan takim me drejtuesin e projektit – pasi u përballën me punëtorët që ndanë me gardh fshatin nga pjesa e bregdetit – u takuan sërish me Dinën.
Dina rezulton një person i lidhur me Musa Kastratin, me të cilin ka qenë ortak në kompaninë “KST Advertising”. Kompania ka ndërruar disa herë pronësi përmes shitjes, dhurimit dhe anulimit të kontratave – nga Dina te Musa Kastrati, më pas te një kompani e grupit dhe së fundmi sërish në pronësi të Dinës.
Sipas dy të intervistuarve, Dina është prezantuar në rolin e një drejtuesi teknik dhe u ka premtuar takime me përfaqësues të kompanisë zhvilluese në këmbim të heshtjes për mediat.
Pavarësisht nëse ka një rol të drejtpërdrejtë në projekt apo përmes personave dhe kompanive të lidhura, Kastrati Group u distancua nga punimet, duke mos iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga ambientalistët.
“Ashtu siç është bërë publike nga media, por edhe nga informacionet zyrtare, kompania e cila po kryen punime dhe ka në projekt ndërtimin në zonën e Zvërnecit është ‘Zvërnec South Adriatic Development’. Besoj se pyetjet tuaja duhet t’i drejtohen kësaj kompanie”, tha në një përgjigje për BIRN zëdhënësja e kompanisë.
Kompania Zvërnec South Adriatic Develompent nuk qe e arritshme për koment përmes telefonit. Ndërkohë, në adresën e reklamuar në QKB, pranë European Trade Center në katin e 12, nuk u gjet zyrë me emrin e kompanisë dhe personat e shërbimit nuk ishin në dijeni të saj.
Musa Kastrati nuk ishte i arritshëm për koment. Ndërkohë, Dervish Dina, pasi iu përgjigj një telefonate, u ankua për mungesë sinjali dhe ndërpreu komunikimin.
Konflikti i pronave dhe karuseli i vendimeve të gjykatave
Që kur dëgjuan për planet për resortin turistik, të shoqëruara me emrat e Kushner dhe Trump, banorët e Zvërnecit – të përfshirë në një konflikt prej dy dekadash për tokat në zonë – u alarmuan. Në televizion shikonin se si pylli, livadhet dhe plazhi ku ishin rritur projektoheshin me vila në rendera 3D, ndërsa ata vetë ishin tërësisht në errësirë dhe pa informacion.
Për më shumë se dy vjet, çdo zhurmë e vogël dhe interesi i madh i medias ndërkombëtare ua mbajti gjallë ankthin se po humbisnin përfundimisht aksesin në tokën që thonë se e kanë trashëguar nga gjyshërit dhe që do të donin t’ua linin trashëgim fëmijëve.
Makthi u bë realitet për ta në fund të prillit 2026, kur panë për herë të parë makineritë e rënda në zonë. Pak ditë më vonë, aty u ngrit një gardh metalik që rrethon mbi 1 milion metra katrorë dhe u ndalon atyre aksesin në plazhin ku janë rritur dhe në pronat e pretenduara të të parëve, në zonën kadastrale 3951.
“Tani na kërkojnë vizë për të hyrë në tokat tona,” thotë i dëshpëruar Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec, në një bisedë telefonike me BIRN.
Minella Balliu u gjend përballë një gardhi të ngjashëm në veri të Zvërnecit, në Pishë Poro. Aty ndodhet zona kadastrale 1007 dhe janë rrethuar mbi 1.3 milionë metra katrorë tokë.
“Na kanë nxjerrë me forcë nga prona jonë,” ankohet ai.
Të dyja sipërfaqet kontestohen në gjykatë prej të paktën dy dekadash. Zona 3951 kontestohet mes banorëve të Zvërnecit dhe familjes Shehu, në një konflikt që, sipas dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive të banorëve, shtrihet pas që në vitet ’30.
Banorët këmbëngulin se e kanë pronën të trashëguar dhe se e rifituan të drejtën mbi të përmes ligjit 7501 “Për tokën”, por një sërë vendimesh administrative të viteve 2006-2009 ia njohën të drejtën familjes Shehu dhe një pjesë e konsiderueshme e pronës, sipas dokumenteve kadastrale që disponon BIRN, iu njoh Artur Shehut.
Në vitin 2013, një vendim i Gjykatës së Vlorës, e vënë në lëvizje nga banorët e fshatit, u dha këtyre të fundit të drejtë dhe anuloi vendimet që ia kishin njohur pronën familjes Shehu.
Por çështja u apelua dhe, pasi mbeti e pazgjidhur për vite të tëra në Apel, u rikthye një vit më parë për plotësim në Gjykatën e Vlorës. Banorët ende presin rifillimin e gjyqit, ndërsa shohin se prona po rrethohet dhe tjetërsohet përfundimisht.
“Po tallen me ne. Të gjithë këta – me kadastër e me gjykata – po tallen me ne”, thotë Konomi.
Konflikti i dytë, ai në zonën kadastrale 1007, është edhe më i ndërlikuar. Këtu përballen të paktën tre palë: pretendimet e familjes Shehu, ato të familjes Moçka, familja e Minella Balliut dhe, me gjasë, edhe të tjerë që pretendojnë trashëgimi nga paraardhësit në zonë.
“Kam 30 vjet gjykatave. Nuk ka njeri me dosje më të plotë se unë”, thotë i revoltuar Minella Balliu, i cili pretendon se, përveç çështjeve civile, përballet edhe me procese penale si i paditur dhe paditës.
Çështja e kësaj prone i ka kaluar një herë të tre shkallët e gjyqësorit, si çështje penale ashtu edhe civile. Çështja penale nisi me dënimin në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pëllumb Petritajt dhe të një punonjëseje të Arkivit të Shtetit për falsifikimin e përkthimit të një dokumenti të Perandorisë Osmane.
Në Apel, një trup gjykues me relator Alaudin Malajn pushoi akuzat ndaj Petritajt për përdorimin me vetëdije të dokumentit fals, por në qershor 2024 Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykimin e çështjes, duke theksuar se “falsiteti i këtij dokumenti ka rezultuar i provuar”.
Në krahun civil, çështja nis në vitet 2012-2013. Fillimisht, Gjykata e Tiranës rrëzoi një padi të ngritur nga Pëllumb Petritaj në favor të familjes Shehu.
Në Apel, me një vendim të gjyqtarit Alaudin Malaj, familjes Shehu iu njoh pronësia në zonë. Vendimi u prish nga Gjykata e Lartë dhe u kthye për rigjykim në shkallën e parë. Më 26 maj të vitit të kaluar, gjyqtari Enkel Peza ia njohu sërish të drejtën e pronësisë familjes Shehu.
Në vendimin e ri nuk përmendet dokumenti i falsifikuar, edhe pse palët kundërshtare ia kanë sjellë atë në vëmendje gjykatës. Çështja është apeluar dhe mbetet ende në pritje të një zgjidhjeje gjyqësore.
Megjithatë, si banorët e Zvërnecit ashtu edhe pretenduesit e tjerë e shohin vendimmarrjen e KKTU-së për leje zhvillimi në zonë si një akt që i zhvesh ata nga e drejta e pronësisë dhe i vendos përballë faktit të kryer.
Qeveria pretendoi se nuk mund t’u jepte përgjigje shqetësimeve të banorëve, duke lënë të kuptohej se konfliktet penale dhe civile shqyrtohen nga gjykatat.
“Dyshimet apo hamendësimet tuaja lidhen qoftë me gjykatat, qoftë me prokuroritë, të cilat kanë të drejtën dhe detyrën t’i shqyrtojnë ato në bazë të kompetencave ekskluzive që u jep ligji”, përfundoi Kryeministria. Reporter.al
Të fundit
Botërori 2026/ Spanja dhe Belgjika zbresin sonte në fushë
15 Qershor 2026, 12:31
Koçeku braktis PS-në, plas revolta: Dorëzo mandatin, në Kuvend hyre me votat e PS-së
15 Qershor 2026, 12:18
Deri në mars 2026, Veliaj dhe i vëllai kanë paguar 430 mijë dollarë për lobim
15 Qershor 2026, 12:05
Sherr brenda kafazit të xhamit, të pandehurit dhunojnë njëri-tjetrin në GJKKO
15 Qershor 2026, 11:50
Vala e të nxehtit vjen në Shqipëri, temperaturat deri në 40 gradë
15 Qershor 2026, 11:35
Video/ "Kushner nuk po negocion, po arrin një m*t”, Rama humb toruan me gazetaren amerikane
15 Qershor 2026, 11:16
Digjet banesa, katër vëllezër humbin jetën nga zjarri në Greqi
15 Qershor 2026, 10:32
Merrte pagesa për aplikime dhe studime jashtë vendit, administratori përballet me gjykatën
15 Qershor 2026, 10:25
Vrasja në Mirditë, viktima i kishte shpëtuar një atentati tre muaj më parë
15 Qershor 2026, 10:07
16 ditë protestë/ Pollo: Asnjë përpjekje për dialog, pse nuk reagojnë institucionet?
15 Qershor 2026, 10:01
Pse Bullgaria ndaloi furnizimin me armë të Ukrainës?
15 Qershor 2026, 09:37
Vritet me armë zjarri një person në Mirditë, identifikohet viktima
15 Qershor 2026, 08:54
Këmbimi valutor 15 qershor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro
15 Qershor 2026, 08:41
Temperaturat maksimalet arrijnë në 30°C, parashikimi i motit për sot
15 Qershor 2026, 07:57
Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin
15 Qershor 2026, 07:35
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
15 Qershor 2026, 07:00
Gjermania e nis vrullshëm Kupën e Botës 2026, mund 7-1 debutuesit e Kurasaos
14 Qershor 2026, 21:53
Mbyllet protesta, nis marshimi në rrugët e Tiranës: Revolucion! Rama largohu!
14 Qershor 2026, 21:40
Persona të maskuar filmojnë turmën, qytetarët i evidentojnë me lazer
14 Qershor 2026, 21:18
Botëror 2026/ Turqia humbi, por fitoi famë tifozi “horror” që po bën xhiron e botës
14 Qershor 2026, 20:51
Forma e pazakontë e protestës në Holandë, shqiptarët në Hagë me këngë polifonike
14 Qershor 2026, 19:36
Sheshi “Skënderbej” mbushet plot, nis marshimi i protestuesve drejt Kryeministrisë
14 Qershor 2026, 18:46
Pushteti i korrupsionit dhe propagandës po shembet e mbi të Shqipëria reale po ngrihet
14 Qershor 2026, 18:24
Gjyqtarët e Botërorit 2026 me paga rekord
14 Qershor 2026, 17:59
“Rama ik” jehonë në Mynih, diaspora shqiptare në protestë në Gjermani
14 Qershor 2026, 17:38
Media gjermane ZDF jehonë protestave në Tiranë: Rritet presioni ndaj qeverisë Rama
14 Qershor 2026, 17:14
Arrestohen 5 serbë për masakrën e Reçakut, Prokuroria dhe Policia zbardhin detajet
14 Qershor 2026, 16:46
Reagim nga Brukseli për protestat në Shqipëri, PDE: Rama të dëgjojë zërin e qytetarëve
14 Qershor 2026, 16:24
“Rama ik”, shqiptarët e Gjermanisë protestë në Berlin kundër qeverisë
14 Qershor 2026, 15:38
Botërori 2026/ Gjermania dhe Holanda zbresin sot në fushë
14 Qershor 2026, 15:20
Mes kritikave, BE-ja pret talibanët për herë të parë në Bruksel
14 Qershor 2026, 15:01
Tragjedi në Prizren, 27-vjeçari vritet me thikë pas sherrit mes kushërinjve
14 Qershor 2026, 14:41
Haiti – Skocia, një ndeshje që riktheu magjinë e futbollit
14 Qershor 2026, 14:18
Shqipëria jashtë fushës, por në lojën e milionave të Botërorit
14 Qershor 2026, 13:58
Berisha - Ramës: Jep dorëheqjen, protestat nuk do të ndalen
14 Qershor 2026, 13:25
Marrëveshja për t’i dhënë fund luftës Iran-SHBA shumë afër
14 Qershor 2026, 12:58
Si u trafikuan tonelata me kokainë nga Amerika Latine në portet e Europës
14 Qershor 2026, 12:51
Barazimi në debutim, Ancelotti: Kupa nuk fitohet në ndeshjen e parë
14 Qershor 2026, 12:30
Përplasen dy mjete në aksin Pogradec–Lin, humb jetën një pasagjere, plagosen tre të tjerë
14 Qershor 2026, 12:16
Gjendet i pajetë 25-vjeçari në Astir
14 Qershor 2026, 11:28
Shqipëria, me një përqindje të lartë të vajzave që shkëlqejnë në matematikë
14 Qershor 2026, 11:14
Nga Tirana në New York, diaspora shqiptare ngrihet në protestë kundër Ramës
14 Qershor 2026, 10:51
Prej 2 javësh shqiptarët në shesh, Ramës i qan zemra për turizmin: Po dëmtohet sezoni
14 Qershor 2026, 10:14
Kina tejkalon Rusinë si investitori më i madh i huaj në Azinë Qendrore
14 Qershor 2026, 09:54
Tiranë/ Efektivi i jep fund jetës me armën e shërbimit
14 Qershor 2026, 09:37
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja
14 Qershor 2026, 09:17
Revolta e “të përjashtuarve”
14 Qershor 2026, 08:59
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
14 Qershor 2026, 08:40
Temperatura deri në 34 gradë celsius, si parashikohet moti për sot
14 Qershor 2026, 08:28
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
14 Qershor 2026, 08:07
Ndeshja Brazil-Marok mund të nisë me vonesë, moti i keq kërcënon supersfidën e Botërorit
13 Qershor 2026, 21:54
“Dorëheqje, qeveri teknike, audit ndërkombëtar”, 6 kërkesat e diasporës para Kryeministrisë
13 Qershor 2026, 21:21
I riu nga Mirdita denoncon në protestë: Babait tim i vdiq pacienti për oksigjen në ambulancë
13 Qershor 2026, 20:02
Mjeku sfidon Ramën: Fëmijët e atyre që kishte dje në antimiting janë këtu në këtë shesh!
13 Qershor 2026, 19:34
Protestuesit rreshtojnë atlete para Kryeministrisë si simbol i emigrimit
13 Qershor 2026, 18:56
Berisha: Ta përcjellim një minutë e më parë Ramën, vetëm për shqiptarët nuk mendon
13 Qershor 2026, 18:40
Berisha: Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur
13 Qershor 2026, 18:03
Elon Musk bëhet trilioneri i parë në botë
13 Qershor 2026, 16:53
Dikur mbështetëse e Ramës, aktorja e njohur i bashkohet protestës masive në Tiranë
13 Qershor 2026, 16:30
“Për kë bën tifo në Botëror?” Berisha: Admiroj futbollistët që duken si 'supermenë' në fushë
13 Qershor 2026, 16:00
Ndërtoi pa leje, arrest në shtëpi për punonjësin e Policisë Sarandë
13 Qershor 2026, 15:39
Messi, Maradona apo Pele? Renditja e 10 legjendave më të mira të Kupës së Botës
13 Qershor 2026, 15:18
10 truke të vogla që e bëjnë udhëtimin me aeroplan më të rehatshëm
13 Qershor 2026, 14:51
Ky është automjeti me të cilin dyshohet se u transportua trupi i Eglant Koçit
13 Qershor 2026, 14:31
Goditet skema e trafikimit të sendeve me vlerë, sekuestrohen pasuri rreth 2 mln euro
13 Qershor 2026, 14:10
Sloganet kundër tij në protestë, Berisha: Mos lejoni gjethet të pengojnë trungun
13 Qershor 2026, 13:30
Lidhjet e ndërtuesit Ilir Shtufi me paratë e trafikut të kokainës
13 Qershor 2026, 13:12
Berisha: Antimitingu i Ramës shënoi fundin e partisë së krimit
13 Qershor 2026, 12:56
Ulen çmimet e karburanteve, ja sa do të shitet nafta dhe benzina
13 Qershor 2026, 12:24
POLITICO nxjerr deklaratën e fortë të Ramës: Të huajt janë më të rëndësishëm se shqiptarët
13 Qershor 2026, 12:14
Televizioni amerikan: Protestat po kthehen në sfidë të hapur ndaj Ramës
13 Qershor 2026, 11:41