Flash News

E-TJERA

Mbeti i vrarë, por Rexhep Ismaili nuk ishte objektivi. 66-vjeçari tentoi të mbrojë klientin në lokalin e tij

Mbeti i vrarë, por Rexhep Ismaili nuk ishte objektivi. 66-vjeçari

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në Sarandë. Ngjarja tragjike nisi nga një konflikt mes disa të rinjve në lokalin e Ismailit, ku viktima nuk ishte objektivi fillestar.

Sipas dëshmive të para, një grup të rinjsh kanë shkuar në lokalin në pronësi të Ismailit për t'u konfrontuar me një banor të fshatit Gjashtë, me të cilin kishin një mosmarrëveshje. Ky i fundit ndodhej në verandën e lokalit në shoqërinë e pronarit, Rexhep Ismaili, dhe tre personave të tjerë.

Konflikti nisi me një debat verbal, i cili u përshkallëzua shpejt në një përleshje fizike me sende të forta. Gjatë sherrit, dyshohet se Ismaili ka ndërhyrë për të mbrojtur personin tjetër. Më pas, ai është futur në ambientet e brendshme të lokalit, ka marrë një armë zjarri Kallashnikov dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të grupit.

Pala tjetër i është kundërpërgjigjur menjëherë me një pistoletë, duke e qëlluar Ismailin me një plumb fatal në kokë. 66-vjeçari ka humbur jetën në vend. Forcat policore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe identifikimin e autorëve të përfshirë.

Sarandë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.

Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.

Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.

Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Të fundit