Flash News

E-TJERA

Morën peng dhe kanosën një 46-vjeçare, arrestohen dy gra në Tiranë

Morën peng dhe kanosën një 46-vjeçare, arrestohen dy gra

Policia e Tiranë ka vënë në pranga dy gra pasi dyshohen se morën peng dhe kanosën një 46-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në rrugën "Egnatia", sipas policisë për motive të dobëta.  

“I hoqën lirinë një shtetaseje dhe e kanosën atë, për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autoret e dyshuara.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas njoftimit të marrë se dy shtetase, kishin marrë forcërisht në automjetin e tyre, një 46-vjeçare, si dhe e kishin kanosur atë për motive të dobëta, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autoreve të kësaj ngjarje, dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, u identifikuan dhe u vunë në pranga 2 autoret e dyshuara, shtetaset A. Q., 40 vjeçe, banuese në Kamëz, dhe E. L., 36 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarat, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, më datë 12.10.2023, në rrugën "Egnatia", kanë marrë me forcë në automjetin e tyre dhe kanë kanosur një 46-vjeçare, për motive të dobëta”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



Të fundit