Flash News

E-TJERA

Pas Holandës, Gjermania i kujton Ramës imunitetin e Ballukut: Duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Venecias

Pas Holandës, Gjermania i kujton Ramës imunitetin e Ballukut: Duhet

Teksa kryeministri Edi Rama feston hapjen e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Europian, Gjermania i ka dërguar një mesazh të qartë qeverisë shqiptare lidhur me respektimin e shtetit ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta.

Në deklaratën zyrtare pas Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Berlini thekson se vendimmarrjet për heqjen e imunitetit duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, një referencë që opozita e lidh drejtpërdrejt me rastin e Belinda Balluku dhe debatet e fundit politike në vend.

DEKLARATA E PLOTË

Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e „Fundamentals“ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.

Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.

Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave.

 

 

Të fundit