Flash News

E-TJERA

PS dhe PD bien dakord për ndryshimin me konsensus të Rregullores së Kuvendit

PS dhe PD bien dakord për ndryshimin me konsensus të Rregullores

 

Socialistët dhe demokratët ranë dakord që të shtynin votimin në parim për propozimet e depozituara nga grupi parlamentar socialist dhe amendamenteve të tjera shtesë të dorëzuara nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe të nisnin diskutimet mes tyre për të shkuar në propozime konsensuale.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh i detyruar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi procedurën parlamentare me të cilën ishin miratuar ndryshimet në Rregullore në nisje të sesionit të ri parlamentar në Shtator dhe e detyroi Kuvendin që të ndjekë një procedurë të rregullt parlamentare për miratimin e ndryshimeve të reja.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u sugjeroi palëve të hënën që të ulen së bashku për të bërë ndryshimet e reja.

“Duhet të synojmë ndryshime konsensuale të rregullores, të jenë të pranuara dhe të kenë mbështetjen nëse është e mundur të të gjithë deputetëve, në mënyrë që të kenë jetëgjatësi,” tha ai në mbledhje.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi po ashtu kërkoi që çdo ndryshim i ri në këtë dokument të bëhet me miratimin e opozitës, bazuar dhe në parimet e shprehura në vendimin e Kushtetueses.

“Rregullorja është akti që garanton bashkëjetesën demokratike mes palëve në Kuvendin e Shqipërisë,” tha Bardhi, duke shtuar kjo kërkonte që ndryshimet të bëheshin me vullnet të përbashkët”.

Në shkurt, Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e PD-së për procedurën e njëanshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën që mazhoranca ndoqi për ndryshimet ligjore dhe vendosi shfuqizimin e tyre, “për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve”.

Gjykata e arsyetoi vendimin me shkeljen e rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Socialistët në mënyrë të njëanshme dhe në afat rekord miratuan dispozitat e reja që preknin arkitekturën parlamentare, duke shtuar numrin e komisioneve parlamentare dhe emërtimin e tyre, sanksionimin e kalimit me procedurë të përshpejtuar të projektligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, zvogëlimin e kohës së diskutimeve për deputetët, etj..

Por, Gjykata vlerësoi se mënyra sesi mazhoranca ka vepruar me miratimin e ndryshimeve “ka vënë në pamundësi deputetët, në mënyrë të veçantë ata të pakicës parlamentare, për të ushtruar lirisht të drejtat që u burojnë atyre nga statusi i deputetit”.

Po ashtu Gjykata vlerëson që opozita të ketë akses në ndryshimet e Rregullores, si një dokument që rregullon marrëdhëniet parlamentare dhe konsideron se mazhoranca parlamentare të ketë synim që “ndryshimet mundësisht të bëhen me vullnet të përbashkët dhe konsensual”. Reporter.al

 

 

Të fundit