Flash News

E-TJERA

Rregullorja e Kuvendit/ Socialistët tërhiqen nga procedura e përshpejtuar, pranohet kërkesa e PD për kontrollin parlamentar

Rregullorja e Kuvendit/ Socialistët tërhiqen nga procedura e

Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësi për paketën e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa drafti përfundimtar pritet të miratohet në mbledhjen e së enjtes të Këshillit për Rregulloren.

Marrëveshja mes Partise Socialiste dhe Partise Demokratike është arritur pas negociatave të zhvilluara në zbatim të vendimit të Gjykates Kushtetuese .

Sipas burimeve parlamentare, socialistët kanë hequr dorë nga disa prej nismave më të debatuara, përfshirë procedurën e përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me Bashkimin Europian, përgjysmimin e kohës së diskutimeve në seancë plenare, si dhe kufizimin e raportimeve të institucioneve vetëm në komisione parlamentare.

Nga ana tjetër, opozita ka arritur të fusë në draft disa mekanizma që synojnë forcimin e kontrollit parlamentar.

Ndryshimet e pranuara parashikojnë ndërhyrjen e Kryetarit të Kuvendit kur institucionet nuk kthejnë përgjigje ndaj kërkesave të deputetëve, detyrimin e komisioneve për të zhvilluar mbledhje me kërkesë të pakicës parlamentare, si dhe pezullimin automatik të masave disiplinore në rast ankimi në Byronë e Kuvendit.

Drafti i ri ruan gjithashtu raportimin e institucioneve kushtetuese në seancë plenare dhe jo vetëm në komisione, ndërsa raportet vjetore do të shqyrtohen nga komisionet përgjegjëse sipas fushës përkatëse.

Mes ndryshimeve të tjera të dakordësuara është edhe mundësia që seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar dhe të vijojë ditën pasardhëse. Po ashtu, masat disiplinore ndaj deputetëve do të llogariten tashmë me ditë kalendarike dhe jo me ditë pune.

Të fundit