Flash News

E-TJERA

Ryshfete mijëra euro, SPAK çon në gjyq ish-kreun e Prokurorisë së Sarandës

Ryshfete mijëra euro, SPAK çon në gjyq ish-kreun e

Dosja e bujshme e korrupsionit që përfshin ish-kreun e Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, do të kalojë për gjykim. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK, duke dërguar në gjyq Llahon së bashku me avokatin Çlirim Shahini dhe biznesmenët Vasil Bakalli e Pando Papuçi.

Të katërt përballen me akuza të rënda për korrupsion aktiv e pasiv dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, të pandehurit janë përfshirë në disa skema korruptive:

1. Favorizim në këmbim të shlyerjes së borxhit:Ish-prokurori Llaho dyshohet se ka ndihmuar një qytetar (M.A.) të hetuar për shpërdorim detyre. Në këmbim, ai i ka kërkuar M.A. të shlyente një borxh prej 1.8 milionë lekësh ndaj vjehrrit të tij. Pagesa dyshohet se u krye përmes biznesmenit Vasil Bakalli, me premtimin se pozita e M.A. në hetim do të lehtësohej.

2. Ryshfet për ndikim te prokurorja: Biznesmeni Pando Papuçi akuzohet se ka ofruar një ryshfet prej 30,000 eurosh për Llahon dhe Bakallin. Qëllimi ishte që ata të ushtronin ndikim të paligjshëm mbi prokuroren që po hetonte çështjen e Papuçit.

3. Ryshfet për ndikim te gjyqtarja: SPAK pretendon gjithashtu se Papuçi i ka dhënë 25,000 euro avokatit Çlirim Shahini, i cili i kishte premtuar se do të ndikonte te gjyqtarja e çështjes së tij për një vendim favorizues.

Prokuroria e Posaçme bën me dije se këto akuza janë të mbështetura në prova të siguruara përmes metodave speciale të hetimit. Në seancën paraprake të datës 6 maj, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri vendosi kalimin e dosjes për shqyrtim gjyqësor nga një trup gjykues me tre anëtarë. Ndërkohë, i pandehuri Pando Papuçi ka kërkuar të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar.

Të fundit