Flash News

E-TJERA

Sa do t'i kushtojë Tiranës organizimi i Samitit të Procesit të Berlinit?

Sa do t'i kushtojë Tiranës organizimi i Samitit të Procesit

Më 16 tetor në Tiranë do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë liderët perëndimorë dhe ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hyrja e liderëve do të jetë nga hyrja kryesore e Piramidës. Rreth orës 11:00 do të nisë edhe pritja nga kryeministri Edi Rama.

Në takimin e liderëve do të nënshkruhen edhe një sërë marrëveshjesh mes vendeve dhe më pas do të nisin takimet bilaterale në orën 17:45. Rreth orës 18:00 është parashikuar edhe konferenca për shtyp.

Qeveria shqiptare ka akorduar edhe një fond për të gjitha shpenzimet e organizimit të Samitit të procesit të Berlinit. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të botuar në Fletoren Zyrtare, organizimi i Samitit do t’i kushtojë vendit tonë 51 milionë lekë, që do të sigurohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

“Me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi; Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet fondi prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit në Tiranë të Samitit të Procesit të Berlinit, datë 16 tetor 2023. Efekti financiar, prej 51 000 000 (pesëdhjetë e një milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Procesi i Berlinit po zhvillon për herë të parë një Samit jashtë zonës së union it. Ndërsa kjo është hera e dytë për Tiran ën që pret një samit, pas atij të BE-Ballkani Perëndimor i cili u mbajt më 6 dhjetor 2022.

Të fundit