Flash News

E-TJERA

“Shkrihet” Komisariati i Sarandës, kush janë efektivët e arrestuar për ndërtime pa leje

“Shkrihet” Komisariati i Sarandës, kush janë

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, është arrestuar këtë të premte në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Bashkë me të janë ndaluar edhe tre efektivë të tjerë.

Operacioni është shtrirë në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, pas dyshimeve se punonjës policie kanë lejuar ose favorizuar ndërtime pa leje në vijën bregdetare.

Sipas AMP-së, funksionarët e arrestuar dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të ndalur paligjshmëritë dhe kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar subjekte të lidhura me struktura kriminale.

Në pranga janë vënë:

Komisar Gëzim Bashllari, shef i Komisariatit të Sarandës;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist rendi;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të kryera në bashkëpunim.

Sipas hetimeve paraprake, efektivët dyshohet se kanë krijuar skema për favorizimin e ndërtimeve pa leje dhe shmangien e përgjegjësisë ligjore. Një ditë më parë, Policia e Sarandës arrestoi edhe 8 persona të dyshuar për ndërtime të paligjshme pranë bregdetit, ndërsa në kërkim është shpallur pronarja e truallit ku po kryheshin punimet.

AMP bëri të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.

 

Të fundit