Flash News

E-TJERA

Shuhet ikona e kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko

Shuhet ikona e kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko

Ndahet nga jeta në moshën 84 vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko.

Aktori i roleve të shumta në teatër dhe kinematografi cilësohet si një prej emrave më të dashur dhe të vlerësuar të skenës dhe ekranit.

Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur në rrjetet sociale miqtë dhe ish studentët e tij.

“Ka ikur Birçe Hasko. Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare. Iku labi Birçe Hasko. Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtrisë së interpretimit. Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit. Lamtumirë mik bashkëpunëtor”, shkruan aktori Mevlan Shanaj .

Gjatë karrierës së tij, ka realizuar 32 role filmike, ndër të cilat veçohen:

“Kur zbardhi një ditë” (1970) – Sulo ballisti,
“Malet me blerim mbuluar” (1971) – Osmani,
“Njeriu me top” (1977) – Tosun Baçi,
“Koncert në vitin 1936” – Tellalli,
“Radiostacioni” (1979) – Mete Aliu,
“Dhe vjen një ditë” (1986) – Dajë Alushi,
“Përrallë nga e kaluara” (1987) – plaku i sertë,
“Shkëlqim i përkohshëm” (1988) – babai i Danes (për të cilin fitoi Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit),
si dhe “I dashur armik” (2005) – tregtari çifut

Loja e tij karakterizohej nga humori i çlirët dhe spontan, ndërtimi i karaktereve të gjalla dhe autentike, mimika shprehëse dhe një ndjenjë e fortë ritmi në interpretim. Përdorimi i të folurit konkret, shpesh me elemente të dialektit të Labërisë, dhe mënyra e veçantë e komunikimit skenik i jepnin roleve të tij një identitet të dallueshëm artistik.

Të fundit