Flash News

E-TJERA

SPAK thellon hetimet ndaj Ballukut, në pyetje biznesmenë dhe ish-bashkëpunëtorë

SPAK thellon hetimet ndaj Ballukut, në pyetje biznesmenë dhe

Pas kontrolleve të kryera me urdhër të SPAK në zyra, banesa, vila luksoze në jug të vendit dhe kompani të ndryshme, në kuadër të hetimeve ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, janë marrë në pyetje edhe personat që u përfshinë në këto kontrolle.

Ndër të parët që u paraqit në SPAK ishte Viola Haxhiademi, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe aktualisht drejtoreshë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ajo dha dëshminë e saj si një nga personat e konsideruar të afërt me ish-ministren, e cila është nën hetim për abuzime me tenderat e rrugëve.

Sipas burimeve, shpjegime para hetuesve ka dhënë edhe Laureta Omeri, ish-këshilltare dhe një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Ballukut, e cila gjithashtu iu nënshtrua kontrolleve.

Në SPAK është paraqitur edhe biznesmeni Arbër Abazi, kompanitë e të cilit kanë përfituar tendera nga Ministria e Infrastrukturës. Ai ka dhënë sqarime lidhur me dy procedura tenderuese. Ndërkohë, Kujtim Hasa, përfaqësues i kompanisë “Rruga Ura” në Elbasan, u ka dorëzuar hetuesve të BKH-së kompjuterë që dyshohet se përmbajnë prova të rëndësishme për hetimin.

Gjatë ditëve të fundit, në SPAK janë paraqitur edhe biznesmenë të tjerë, në kompanitë e të cilëve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike.

Në mesin e personave të marrë në pyetje janë edhe shoferi i Belinda Ballukut dhe punonjëset e mirëmbajtjes së banesës, të cilët janë pyetur për detaje mbi pronat dhe përditshmërinë e ish-ministres.

SPAK po heton Ballukun për disa procedura të rëndësishme tenderuese, përfshirë ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe. Së fundmi, hetimet janë shtrirë edhe mbi pasuritë e saj dhe të personave të lidhur me të.

Të fundit