Flash News

E-TJERA

Studiuesja tregon rolin e klerit katolik: Kanë luajtur rol të madh në formësimin e shtetit shqiptar

Studiuesja tregon rolin e klerit katolik: Kanë luajtur rol të madh

Studiuesja dhe autorja e revistës kulturore “Art dhe Trashëgimi”, Ilda Mara, ishte e ftuar në emisionin “Pasvon” i drejtuar nga Alfred Lela, ku foli për historinë e revistës, numrin më të ri kushtuar trashëgimisë katolike dhe sfidat e ruajtjes së memories kulturore shqiptare.

Revista publikohet në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, dhe sipas Marës është kthyer në një produkt kulturor të kërkuar edhe jashtë Shqipërisë.

Ndaj, Mara tregoi se kopje të revistës blihen nga biblioteka prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Bibliotekën e Kongresit Amerikan, universitete në Gjermani dhe institucione kulturore në Francë.

Numri i nëntë i revistës i kushtohet trashëgimisë katolike shqiptare dhe, sipas autores, është një prej projekteve më ambicioze të realizuara deri më sot. Në të trajtohen figurat më të rëndësishme të katolicizmit shqiptar, urdhrat fetarë, ndikimi i kishës në identitetin kombëtar dhe raportet historike të shqiptarëve me Vatikanin e Venedikun.

“Katolikët kanë luajtur një rol të madh jo vetëm në formësimin e fesë katolike në Shqipëri, por edhe në formësimin e shtetit shqiptar. Ne u kemi shumë borxh figurave si Fishta, Mjeda apo të tjerë që kontribuan në ngjizjen e identitetit kombëtar”, deklaroi Mara.

Ajo pranoi se numri ka marrë edhe kritika për praninë e madhe të letërsisë dhe autorëve letrarë, por argumentoi se kjo ishte një zgjedhje e vetëdijshme editoriale për të nxjerrë në pah kontributin kulturor të elitës katolike shqiptare.

Në intervistë u diskutua edhe për trashëgiminë fetare si temë delikate në debatin publik shqiptar. Mara tha se deri tani revista nuk ka hasur reagime negative serioze, përveç disa kritikave sporadike për numrin kushtuar trashëgimisë ortodokse dhe hapësirës që i ishte kushtuar kryepeshkopit Anastas.

“Jemi munduar të jemi neutralë dhe të kujdesshëm në trajtimin e temave sensitive”, theksoi ajo.

Ndërkohë, studiuesja bëri të ditur se revista po punon tashmë për numrin e ardhshëm, i cili do t’i kushtohet trashëgimisë myslimane shqiptare dhe pritet të dalë vitin e ardhshëm.

 

Të fundit