Flash News

E-TJERA

Tripleta e Kane i jep Bayernit trofeun ndaj Stuttgart

Tripleta e Kane i jep Bayernit trofeun ndaj Stuttgart

Bayern Munich e mbylli sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Kupën e Gjermanisë pas suksesit 3-0 ndaj VfB Stuttgart në finalen e luajtur në Berlin.

Njeriu i ndeshjes ishte pa diskutim Harry Kane, i cili realizoi një tripletë dhe udhëhoqi bavarezët drejt një tjetër trofeu në futbollin gjerman.

Stuttgarti e nisi më mirë takimin dhe krijoi rastet e para të rrezikshme, por portieri Jonas Urbig u tregua vendimtar për Bayernin duke mbajtur portën të paprekur në momentet kyçe të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, skuadra bavareze mori kontrollin e lojës dhe gjeti avantazhin pas një aksioni të ndërtuar nga Michael Olise, me Kane që realizoi me kokë për 1-0.

Sulmuesi anglez vulosi më pas suksesin me dy gola të tjerë, fillimisht me një goditje të saktë brenda zonës dhe më pas nga pika e bardhë e penalltisë, pas një prekjeje me dorë në zonë nga Angelo Stiller.

Me këtë triumf, Bayerni siguroi Kupën e 21-të të Gjermanisë në historinë e klubit, duke konfirmuar edhe njëherë dominimin në arenën vendase. Ndërkohë, Stuttgarti e mbyll sezonin me humbjen në finale, por me biletën e siguruar për në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Të fundit