Flash News

E-TJERA

Vdekja e kenianes nga dhuna në Tiranë, shoqërohet në polici shoferi i kazinosë ku punonte Joy Ayoko

Vdekja e kenianes nga dhuna në Tiranë, shoqërohet në polici

Shoqërohet në polici, me urdhër të Gjykatës shoferi i kazinosë në të cilën punonte 22-vjeçarja nga Kenia, Joy Ayoko, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë pasi u dhunua barbarisht në Tiranë.

Mësohet se Rodi Barçi, është shoqëruar në komisariatin numër 1 në Tiranë, për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë.

Po ashtu, policia ka kryer dhe kontroll në banesën e shoferit të kazinosë, me urdhër të Prokurorisë.

Pas 6 muajsh në luftë me vdekjen, 22-vjeçarja keniane, e cila u dhunua barbarisht në gusht të vitit të kaluar në Tiranë, ka ndërruar jetë në Kenia pak ditë më parë.

Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister.

Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.

Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. 

Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve.  E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. 

Të fundit