Flash News

E-TJERA

Vendimi për rikthimin në burg i Lefter Kokës mbetet pa u ekzekutuar, ish-ministri jashtë vendit

Vendimi për rikthimin në burg i Lefter Kokës mbetet pa u
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Por ky vendim ende nuk është ekzekutuar, pasi ai ndodhet jashtë vendit prej rreth katër muajsh e gjysmë.

Lidhur me mungesën e tij, avokati Maksim Sota deklaroi se Koka kishte shfaqur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur vuante dënimin në burg dhe, pas lirimit në muajin dhjetor, ishte larguar jashtë Shqipërisë për trajtim më të specializuar mjekësor.

Sipas avokatit, ish-ministri është vënë në dijeni të vendimit të Apelit dhe do të rikthehet në Shqipëri pas përfundimit të kurimit.

Lefter Koka u dënua më 16 prill 2025 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me 2 vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në procedurat që lidhen me inceneratorin e Tiranës. Në atë kohë, gjykata vendosi edhe shuarjen e masës së sigurisë ndaj tij, duke argumentuar se dënimi ishte konsumuar gjatë periudhës së paraburgimit. Megjithatë, dy vendime të tjera për çështjet e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit penguan lirimin e menjëhershëm të tij.

Në dhjetor, Koka u lirua nga Gjykata e Durrësit, pasi u konsiderua se kishte shlyer dënimet e dhëna ndaj tij.

Gjatë shqyrtimit në Apel, prokurori kërkoi përsëritje të pjesshme të gjykimit për ish-ministrin, duke kërkuar rillogaritjen e masës së dënimit. Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi kërkesën dhe vendosi të rrëzojë pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë sa i përket shuarjes së masës së sigurisë, çka nënkupton se Koka duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

Të fundit