Flash News

E-TJERA

Zbardhet vrasja në Sarandë, 6 të përfshirë në ngjarje, gjendet motori i autorit në Nivicë

Zbardhet vrasja në Sarandë, 6 të përfshirë në

Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Qafë Gjashtës në Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili dhe u plagos një tjetër person.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, bëri me dije se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në pronësi të viktimës, ku fillimisht ka shpërthyer një konflikt mes disa personave, i cili më pas ka degjeneruar në përdorim armësh zjarri.

Sipas policisë, në përplasje janë përfshirë disa shtetas, mes tyre Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla. Konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas është përshkallëzuar në shkëmbim zjarri.

Hetimet paraprake tregojnë se gjatë përplasjes, viktima ka qëlluar me armë automatike ndaj grupit të personave të përfshirë, ndërsa më pas një prej tyre ka hapur zjarr me pistoletë, duke i marrë jetën 66-vjeçarit në vendngjarje. Gjatë të shtënave ka mbetur i plagosur edhe Kostandin Vogli.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, Lulzim Tabaku. Në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.

Po ashtu, është bërë e ditur se vëllai i viktimës ka larguar dhe fshehur përkohësisht armën automatike, e cila më pas është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.

Të fundit