Flash News

E-TJERA

Zbulohet parcela me kanabis në Vlorë, pezullohen disa efektivë

Zbulohet parcela me kanabis në Vlorë, pezullohen disa efektivë

Uniformat blu kanë zbuluar një parcelë me kanabis këtë të enjte në fshatin Bishan të Vlorës, ku janë sekuestruar 4930 bimë narkotike.

Në afërsi të parcelës, është zbuluar gjithashtu një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, ndërsa në pranga ranë 3 autorët e dyshuar, shtetasit Skënder Llanaj, Danielo Llanaj dhe Bujar Hoxhaj.

Sakaq, janë proceduar penalisht kryeplaku i fshatit Bishan dhe 3 punonjës policie të Komisariatit të Policisë Vlorë.

“Gjatë operacionit, në fshatin Bishan, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara mes një parcele me misër, në pronësi të shtetasit D. M., 4930 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Nga kontrolli i territorit, në afërsi të kësaj parcele është zbuluar një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike, në pronësi të shtetasit S. Ll.

Në këtë magazinë janë gjetur 198 kg lëndë narkotike në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:

– S. Ll., 40 vjeç dhe D. Ll., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bishan.

– D. M., 69 vjeç, banues në fshatin Bishan.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

-B. H., 61 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Bishan.

Si dhe për 3 punonjës policie, të cilët edhe janë pezulluar nga detyra, konkretisht:

– Nënkomisar K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Nënkomisar F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë;

– Inspektor M. A., me detyrë ndihmësspecialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Vlorë”,- njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

 

 

Të fundit