Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Alfred Lela
Debati për projektligjin 'anti-shpifje' shoqërohet me një keqkuptim të madh; xhanëm si shumica e debateve në këtë vend, ku thelbi shmanget dhe loja futet në rrengun e xhingla-minglave detajore.
Për shembull, thuhet se portalet shpifin, botojnë fake neës, janë aprofesioanle, e me radhë, me një lehtësi filologjike të admirueshme. A thua se vëzhguesit e hapësirës internetike janë studiues të komunikimit të rangut të Marshall McLuhan-it.
Harrohet m'anë tjetër se liria frenetike e internetit, edhe pse me defekte, ka një thelb të paqortueshëm: lirinë. Po ta krahasosh me kapsin editorial të medias tradicionale, gazetat dhe televizionet, ku ka më shumë përpunime politike se gazetareske, ku qokat janë më të zëshme se investigimet, ku ajo që mungon në informacion mbulohet me argëtim të tipit reality, mediat e reja të fokusura në shpejtësi, në shkurtësi apo qoftë edhe në brutalitet, dhe sidomos në kaq shumë pikëpamje editoriale dhe individuale, janë jo fundi i medias, por një dalje prej fundit.
Duke u dhënë këtë kompliment nuk mund të mos u vëresh kaq shumë defekte, që fillojnë nga shkeljet gjuhësore e deri te etiket.
Interneti është e vetmja hapësirë e mbetur ku gazetarët që pengohen, në një formë a tjetër, nga media tradicionale gjejnë shteg për të zhvilluar profesionin e tyre.
Sërish, nuk është raporti dallues mes dy llojeve të medias, çka i vlen debatit për zellin e qeverisë për të ndërhyrë me nisma rregullatore online. Proponentë të ligjit, politikanë apo gazetarë pranë qeverisë, e reduktojnë polemikën te lajmet e rreme dhe shpifja. Pak a shumë, elitat kërkojnë që të bëjnë një ligj në mbrojtje të elitave; kërkojnë edhe një tjetër mur rrethues të lartë e të sigurt, si ai që kanë te vilat në Rolling Hills në Gji të Lalzit, e kudo tjetër ku kanë ndërtuar getot e tyre anti-geto.
Kërkojnë, në njëfarë mënyre, që të mos ketë mekreking journalism, një lloj gazetarie të ashpër denoncuese e Amerikës së fundit të shekullit 19, por një raportim që bazohet te komunikatat e shtypit të ministrive apo partive, te feed-i direkt i ERTV, te tuitet apo statuset e politikanëve. I kërkohet gazetarisë ajo që politika nuk e ka pasur kurrë vetë dhe për këtë është gati ta dënojë. Përmbyset maksima: nga media rojtar i qeverisë në qeveria rojtar i medias.
Gazetaria, duke qenë se është profesion që merret me fjalën, atë të folur apo të shkruar, dhe meqë fjala është instrument i përdorur nga të gjithë, krijon një keqkuptim të madh ndër ata që, meqë kanë aparatin etë folurit, gojën, mendojnë se kanë edhe fakultetin e të menduarit mbi fjalën. Me gjasë ata dinë diçka mbi filologjinë, pjesë e së cilës është gazetaria. Një debat që duhej të ishte i gazetarëve për gazetarinë, një projektligj që duhej të reflektonte investimin e madh të komunitetit të medias, është hartuar në zyra të politikës dhe mbështetet po politikisht, në rrugë e pa rrugë, vend e pa vend.
Filologjia ia ka lënë vendin Filoqylit. Dhe në fushë të qylit, shqiptarët, prirë nga politikanët e tyre, vijnë hareshëm dhe të pafilozofuar, duke t'u gërmushur të 'mos u bësh filozofi'.