Flash News

KRYESORE

Fotot e rralla/ Si ishte aeroporti i Vlorës në vitet 1914-1916 dhe në vitet ’40. Sa ishte çmimi i biletës drejt Romës, Gjirokastrës e Tiranës

Historia e transportit ajror në Shqipëri ka nisur në fillim të shekullit 20. Fluturimet e para janë realizuar në Shqipëri për qëllime ushtarake, e më pas në vitet ’20 ka nisur të zhvillohet aviacioni për transport civil.

Gazetari i ‘Scan TV’, Kreshnik Kuçaj ka publikuar një dossier ku jepen disa foto të rralla të aviacionit shqiptar dhe historia e fluturimeve të para në Shqipëri.

Pas pushtimit të Vlorës në fund të vitit 1914, italianët ngritën një kamp aviacioni  për qëlllime ushtarake, që përveç avionëve të zakonshëm përfshinte edhe një bazë hidrovolantësh.

Pas largimit të ushtrive të huaja, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje koncesioni 10 vjeçar me kompaninë gjermane “Lufthansa” në vitin 1924. Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”.

Nga kjo marrëveshje u ndërtua edhe fusha e parë në kryeqytet që do të përdorej për uljen dhe ngritjen e avionëvë. Kjo fushë u ndërtua në zonën e Shallvareve, me sipërfaqe 400 me 200 metra dhe destinacionet e brendshme ishin Vlora e Shkodra.

3 vite pas nisjes së funksionimit, shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë. Kjo solli edhe zgjerimin e fluturimeve drejt qyteteve të tjera si Elbasani, Gjirokastra, Korça apo Peshkopia. (foto mëposhtë: biletaria e zyrës së aviacionit në Tiranë)

Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore. Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.

Sa i përket Vlorës, në vitet ’40, nga ‘aeroporti’ i këtij qyteti zhvilloheshin tre linja fluturimesh: Vlorë-Gjirokastër ku bileta kushtonte 11 franga ari për persona, Vlorë-Romë që kushtonte 90 franga ari për person dhe Vlorë-Tiranë 17 franga ari.

Të fundit