Flash News

KRYESORE

Injorancë apo qëndrim politik pro Serbisë? Arben Ahmetaj i diplomuar për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, doli kundër Kosovës

Injorancë apo qëndrim politik pro Serbisë? Arben Ahmetaj i

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj krijoi pakënaqësi të mëdha në Kosovë dhe Shqipëri kur u shpreh kundër taksës 100% për produktet serbe. Ky qëndrim i Ahmetajt u përpoq të justifikohej nga kryeministri Edi Rama gjatë takimit në Pejë, i cili theksoi se ministri “nuk ka për çfarë të pendohet sepse ka folur në parim.”

Edhe analisti Baton Haxhiu, këshilltar i Ramës, u përpoq në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ që të zbusë kritikat ndaj Ahmetajt dhe theksoi se ministri i Financave nuk është zyrtari i duhur për të folur për këto çështje. Me qëllim për të hequr “njollën” mbi ministrin, Haxhiu theksoi se Ahmetaj “nuk di të gjykojë për gjëra të tilla.”

Por pavarësisht se Haxhiu tentoi ta paraqesë Arben Ahmetajn në “rolin e injorantit” sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare dhe raporteve shqiptaro-serbe, jetëshkrimi i ministrit të qeverisë Rama tregon se informacionet e tij në këtë fushë nuk janë aq të pakta sa pretendohet.

Ahmetaj ka shkruar në ‘cv’ se është diplomuar në vitin 1996 për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Universitetin e Kentakit. Në vitin 2000 ka kryer studimet për Financë Ndërkombëtare në Georgetown University, dhe në vitin 2009-të është diplomuar me titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjitike dhe Sigurisë Ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit.

Nuk është vetëm jeta akademike e Arben Ahmetajt e lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe karriera e tij në institucionet shqiptare. Në 1997-1998, Ahmetaj ka qenë Drejtor Kabineti në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ndërsa në vitet 2003-2004 ka mbajtur postin e zv/ministrit të Integrimit, raporton Politiko.al.

Duke përfshirë edhe eksperiencën pesë vjeçare si ministër i Ekononisë dhe i Financave, Arben Ahmetaj përfundimisht nuk mund të konsiderohet ‘injorant’ në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të paktën jo në ato nivele sa të bëjë një gafë si kjo me taksën për produktet serbe.

Arben Ahmetaj dukshëm u pozicionua pro Serbisë në përballjen që kjo e fundit po zhvillon me Kosovën, ndonëse kryeministri Rama dhe njerëzit pranë tij po përpiqen ta justifikojnë dhe ta nxjerrin në rolin e të paditurit.

Të fundit