Flash News

Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi, Chollet bën thirrje: Të zbatojnë marrëveshjet e deritanishme

Dialogu Kosovë-Serbi, Chollet bën thirrje: Të zbatojnë

Derek Chollet u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe se është koha për të folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit postoi në profilin e tij në “Twitter” pas një bisede me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në prag të takimit të planifikuar për të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian”, shkroi Choller.

Nga ana tjetër Kryeministri Kurti shkroi se i ka konfirmuar zotit Chollet qëndrimin e tij për propozimin evropian  “si bazë e mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Normalizimi i plotë kërkon njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes dhe respektim të të drejtave të pakicave në të dyja vendet”, shkroi ai.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë tashmë e kanë pranuar në parim propozimin evropian i cili nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se presin që ata të pranojnë edhe zyrtarisht e publikisht propozimin në takimin e së hënës.

 

Të fundit