Flash News

Kosova

"Do të na kërkojnë të njohim Kosovën", Vuçiç: Pres takim të vështirë në Bruksel

"Do të na kërkojnë të njohim Kosovën",

Një ditë para vizitës së tij në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se takimet e planifikuara nuk janë të lehta, por Serbia është e gatshme të bisedojë për planin e ri të të dërguarve evropianë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ata po trokasin në derë të hapur”, tha Vuçiç më 25 tetor për Radio Televizionin e Serbisë.

Plani është prezantuar nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, gjatë takimeve që kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor. Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel më 26 tetor për takime me liderët e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Në këto takime do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Vuçiç tha për transmetuesin publik serb se ai po ashtu do të takohet me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Lideri serb tha se pozicioni i shtetit të tij është bërë edhe më i vështirë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës. Ai përkujtoi se “shumica e shteteve të fuqishme perëndimore” veçse e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ata vetëm do të kërkojnë për mënyrën se si ta bindin Serbinë të pajtohet për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”, tha Vuçiç.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është planifikuar një takim midis Kurtit dhe Vuçiçit. Ftesa e Kurtit dhe Vuçiçit për takime në Bruksel vjen pasi përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” qëndruan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe bën thirrje që palët të normalizojnë raportet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit.

Ndërkaq, Stano ka konfirmuar se gjatë vizitës së përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, të dyja palëve u është prezantuar një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë./rel

 

Të fundit