Flash News

Kosova

Kurti dakordëson që plani i emisarëve të jetë kornizë për diskutime të mëtejshme

Kurti dakordëson që plani i emisarëve të jetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë - i prezantuar ditë më parë - të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, duke e konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në takimet e 26 tetorit në Bruksel.

Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do t’i takojnë veç e veç presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ata janë ftuar në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet, në disa takime që i kanë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd.

Gjatë takimit në Prishtinë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për një plan.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë më 24 tetor se blloku evropian ka bërë "propozim modern evropian" për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./ REL

Të fundit