Flash News

Kosova

Nuk dekretoi Kryeprokurorin e Shtetit, kërcënohet Osmani

Nuk dekretoi Kryeprokurorin e Shtetit, kërcënohet Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Osmani renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.

Presidentja tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Osmani tha se për vlerësimin që ka bërë Presidenca për çështjen e kryeprokurorit janë marrë parasysh vlerësimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe institucionet ndërkombëtare.

Ajo tha se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” është ideja që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje./ REL

Të fundit