Flash News

Kosova

Osmani për “The Telegraph”: Mercenarët e grupit “Wagner” po ndihmojnë Serbinë të përgatisë një sulm ndaj Kosovës

Osmani për “The Telegraph”: Mercenarët e grupit

Mercenarët nga grupi famëkeq rus, “Wagner” po punojnë me paraushtarakët serbë në kontrabandimin e armëve dhe uniformave ushtarake në Kosovë, paralajmëroi presidentja Vjosa Osmani.

Operacionet sekrete po krijojnë bazë për të nisur një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia për të aneksuar territore të Kosovës, pohoi presidentja e vendit në një intervistë për gazetën britanike, The Telegraph.

Përgatitjet e supozuara nga Serbia lidhen me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur ushtarët rusë me “veshje ushtarake” pa ndonjë shenjë dalluese, përgatitën rrugën për shkëputjen e gadishullit nga Moska.

“Ata sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak”, pohoi Osmani.

Objektivi i serbëve është të “përgatisin situata për një aneksim të mundshëm, jo përmes një operacioni tradicional ushtarak, por përmes një sulmi hibrid”.

Serbët në veri të Kosovës kundërshtuan heqjen e targave ilegale të veturave që lëshon Serbia. Ata bllokuan rrugët duke ngritur barrikadat. Kriza u përkeqësua në muajin dhjetor pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kërcënoi se do të dërgonte ushtrinë serbe në veri të Kosovës, shkruan më tutje mediumi britanik.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës pohoi se Beogradi po vazhdon të ngjallë tensione në rajon, në bashkëpunim me Wagnerin e Rusisë, i cili kohët e fundit ka filluar rekrutimin e serbëve për luftën në Ukrainë.

“Nëse shikoni se çfarë bëri Putini në vitin 2014, është po e njëjta lojë. Fillimisht ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, më pas krijoi lloj-lloj operacionesh me flamur të rremë dhe në fund i dërgoi këto grupe paraushtarake. Ka prova të qarta se grupet paramilitare serbe e kanë planifikuar dhe organizuar këtë (me Wagner). Sa ishin në kufi apo brenda (territorit të Kosovës), kjo është një çështje që ende po hetohet”, pohoi ajo.

Kujtojmë se Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta në infrastrukturë. /Telegrafi/

Të fundit