Flash News

Kosova

“Pezullojmë vizat e Kosovës”, ambasada franceze sqaron deklaratën e Macron

“Pezullojmë vizat e Kosovës”, ambasada franceze sqaron

Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën e presidentit Emmanuel Macron i cili tha se nëse Kosova nuk mban fjalën e dhënë lidhur me dialogun me Serbinë, Parisi do të pezullojë liberalizimin e vizave.

Në një përgjigje për mediat, ambasada ka thënë se theksi i deklaratës së Macron ka qenë më shumë kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiçi për aktet e 24 shtatorit.

“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiç: të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, ka sqaruar ambasada.

Ambasada franceze më tej thotë se Macroni nuk përmendi anulimin e vizave.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat.

Sipas ambasadës franceze, nga Macron Kosovës i është kërkuar angazhimi për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunat e veriut.

“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”, thuhet më tej.

Të fundit