Flash News

KRYESORE

Krimi/ Në Tiranë vidhet një makinë luksoze çdo dy ditë

Krimi/ Në Tiranë vidhet një makinë luksoze çdo dy

Në Tiranë është e vështirë që të zotërosh një makinë luksoze. Dhe kjo sepse janë “preja” e preferuar e hajdutëve të veturave. Problemi është mjaft shqetësues dhe sipas shifrave në kryeqytet vidhet një makinë çdo dy ditë.

Sipas shifrave të Policisë së Shtetit vetëm gjatë muajit korrik u vodhën 150 makina të shtrenjta, ndërsa zbulueshmëria ka qenë pothuajse zero, raporton Abc News. Mjetet të cilat preferojnë hajdutët kanë një vlerë që varion nga 50 deri në 100 mijë euro.

Gjatë sezonit të verës shtohet numri i mjeteve në Tiranë, kjo edhe për shkak se kthehen emigrantët. pikërisht kjo është edhe periudha më problematike për uniformat blu, të cilët regjistrojnë edhe numrin më të madh të vjedhjeve.

Sipas seksionit kundër vjedhjeve në policinë e Tiranës, vendet ku grabitësit veprojnë më së shumti janë në zona të pasigurta, ku nuk ka ndriçim dhe ambientet që nuk janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë.

Markat më të preferuara nga hajdutët kanë qenë “Mercedes-Benz”, “Range Rover” “BMW” dhe “Audi”. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, pranoi se ka një shtim të rasteve për vjedhjet e automjeteve nga viti në vit.

Zona më problematike për vjedhjet e automjeteve janë: “Zogu i Zi”, “Stacioni i Trenit”, rruga “Myslym Shyri”, “ish-Blloku”dhe “21-Dhjetori”. Një tjetër problem është edhe grabitja e makinave luksoze jashtë territorit shqiptar, përgjithësisht në shtetet e rajonit, e më pas futja dhe shitja e tyre në Shqipëri.

Të fundit