Flash News

KRYESORE

Antimafia italiane ngre alarmin: Mos e nënvlerësoni mafian shqiptare, është më e rrezikshme nga sa mendohet

Antimafia italiane ngre alarmin: Mos e nënvlerësoni mafian shqiptare,

Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit ka ngritur alarmin për përhapjen dhe forcimin e mafias shqiptare në Europë, duke e cilësuar atë si një fenomen të nënvlerësuar, por tepër të rrezikshëm.

Koordinatori i DDA-së së Barit, Giuseppe Gatti, deklaroi se grupet kriminale shqiptare po shfaqin një strukturë të fortë organizative, të bazuar te lidhjet familjare dhe respektimi i kodeve të vjetra zakonore, ndërsa kanë fituar një rol kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, shkruan "La Repubblica".

Sipas autoriteteve italiane, mafia shqiptare është bërë një aktor kryesor në narkotrafik, duke bashkëpunuar edhe me organizata të mëdha mafioze ndërkombëtare. Hetimet e fundit, përfshirë vrasjen e 26-vjeçarit Francesco Diviesti në Barletta, tregojnë sipas prokurorëve shkallën e rrezikshmërisë dhe ndikimit të këtyre grupeve.

Sipas hetimeve, ngjarja nisi nga një konflikt për një borxh prej 500 eurosh të papaguar në lidhje me shitjen e drogës, mes viktimës dhe kreut të një klani shqiptar, Igli Kamberi. Megjithatë, autoritetet italiane theksojnë se urdhri për vrasjen erdhi pasi i riu kishte “vënë në dyshim fjalën” e Kamberit, gjë që konsiderohej mungesë respekti.

Prokurori Roberto Rossi deklaroi se këto organizata funksionojnë mbi rregulla shumë të ashpra, ku aktet e dhunës përdoren edhe si mesazh frikësues për komunitetin.

Ndërkohë, Giuseppe Gatti e lidhi këtë mënyrë funksionimi me logjikën e “Kanunit”, kodit tradicional shqiptar, duke thënë se ai shërben si bazë për rregullat e grupeve kriminale shqiptare. Sipas tij, shumë prej këtyre grupeve janë forcuar fillimisht në Shqipëri përmes konflikteve të dhunshme dhe më pas kanë eksportuar modelin e tyre kriminal në Itali dhe vende të tjera europiane.

Autoritetet italiane theksojnë se për vite me radhë është menduar se shqiptarët merreshin kryesisht me emigracion të paligjshëm ose prostitucion, por hetimet e fundit tregojnë një realitet tjetër, ku grupet shqiptare kontrollojnë trafiqe të mëdha droge dhe menaxhojnë miliona euro fitime.

Në rastin e Barlettës, sipas hetimeve, Igli Kamberi drejtonte trafik droge me vlera miliona euro dhe fitimet dërgoheshin në Shqipëri. Në dy operacione të ndryshme, një në kufirin e Muriqanit në Mal të Zi dhe një tjetër në Itali, autoritetet sekuestruan respektivisht 680 mijë dhe 400 mijë euro cash.

Sipas DIA-s italiane, transferimi i shumave të mëdha drejt Shqipërisë lidhet me faktin se paratë e pista reinvestohen më lehtë atje. Kreu i DIA-s në Bari, Giulio Leo, tha gjithashtu se grupet shqiptare dallohen edhe për përdorimin e avancuar të teknologjisë, si në menaxhimin e trafikut të drogës, ashtu edhe në pastrimin e parave.

Të fundit