Flash News

KRYESORE

Korrupsioni, patronazhimi dhe SPAK, si u ashpërsua pozicioni i BE ndaj Shqipërisë në vetëm 3 muaj

Korrupsioni, patronazhimi dhe SPAK, si u ashpërsua pozicioni i BE ndaj

Bashkimi Evropian ka ashpërsuar ndjeshëm gjuhën ndaj Shqipërisë në draftin më të fundit për Grupkapitullin 1 të negociatave të anëtarësimit, duke kaluar nga një qasje e fokusuar te progresi drejt një dokumenti shumë më kritik.

Analiza krahasuese mes Draft Pozicionit të Komisionit Evropian të 26 shkurtit 2026 dhe propozimit të Presidencës së BE-së të 21 majit 2026 evidenton 32 ndryshime konkrete, ku në qendër vendosen korrupsioni, pavarësia e SPAK-ut, zgjedhjet, të drejtat e pronës dhe mbrojtja e pakicave, shkruan politiko.al. 

Kështu, në dokumentin e ri, për herë të parë, BE përmend shprehimisht rrjetet e patronazhimit si problem në funksionimin e demokracisë dhe kërkon masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe levës institucionale në proceset zgjedhore.

Politiko.al shkruan se një tjetër ndryshim i fortë lidhet me SPAK-un.

Ndërsa drafti i shkurtit fliste në mënyrë të përgjithshme për ndërhyrje ndaj institucioneve të drejtësisë, teksti i majit shkon më tej duke deklaruar se evidentuiar  përpjekjet e shtuara dhe shqetësuese, përfshirë nga nivele të larta, për të ushtruar ndikim të padrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë.

Po ashtu, korrupsioni nuk konsiderohet më vetëm një shqetësim serioz, por një shqetësim vendimtar, formulim që në gjuhën diplomatike të BE-së konsiderohet shumë më pranë vijës së kuqe.

Krahasimi i dy drafteve, çfarë ndryshon në pozicionin e ri të BE për Shqipërinë

SPAK përmendet drejtpërdrejt dhe merr mbështetje më të fortë

Ndryshe nga drafti i shkurtit, ku referencat ndaj drejtësisë ishin të përgjithshme, versioni i majit përmend shprehimisht SPAK-un dhe flet për “përpjekje të shtuara dhe shqetësuese”, përfshirë nga “nivele të larta”, për ndikim mbi institucionet e drejtësisë.

Korrupsioni ngrihet në nivel alarmi më të lartë
Në draftin e parë korrupsioni konsiderohej shqetësim serioz, ndërsa në tekstin e Presidencës cilësohet  shqetësim vendimtar, një formulim dukshëm më i ashpër në terminologjinë e BE-së.

Rrjetet e patronazhimit futen për herë të parë në dokument
Drafti i majit shton një referencë të re ndaj nevojës për luajtje të barabartë në zgjedhje, duke kërkuar masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe ndikimit të rrjeteve të patronazhit.

Kushtet për zgjedhjet bëhen më konkrete
Në vend të formulimeve të përgjithshme të draftit të shkurtit, dokumenti i ri e lidh zbatimin e rekomandimeve zgjedhore me zgjedhjet bashkiake të ardhshme.

Mbrojtje më e fortë për Gjykatën Kushtetuese dhe standardet europiane
Versioni i majit shton si benchmark formal zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimin e standardeve të Komisionit të Venecias për çështjet e imunitetit.

Fokus i ri te pronat, pakicat dhe zonat bregdetare
Ndërsa drafti i shkurtit kishte referenca më të përgjithshme, teksti i ri lidh problematikat e pronës me zonat bregdetare, zonat me interes ekonomik dhe territoret ku jetojnë pakicat kombëtare, duke kërkuar edhe kompensim të drejtë për shpronësimet.

Gazetarët dhe siguria e tyre marrin më shumë vëmendje
Drafti i Presidencës kërkon pika të posaçme kontakti në Policinë e Shtetit dhe prokurori për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe përshpejtim të përafrimit me Direktivën Anti-SLAPP.

Kritika më të drejtpërdrejta për ekonominë dhe ndërtimin
Dokumenti i majit emëron konkretisht problemet me zbatimin e kontratave, transparencën e ndërmarrjeve shtetërore dhe sektorin e ndërtimit e të pasurive të paluajtshme, të lidhura me korrupsionin dhe informalitetin.

Benchmark-et e negociatave bëhen më të rrepta
Në krahasim me draftin e shkurtit, teksti i Presidencës zgjeron ndjeshëm kushtet ekonomike, demokratike dhe të sundimit të ligjit që Shqipëria duhet të përmbushë për avancimin e negociatave./Politiko.al/

Të fundit