Flash News

KRYESORE

“Kush flet për bllokim, po shet ajër”– Rama kundër narrativës së ngërçit në integrim

“Kush flet për bllokim, po shet ajër”– Rama

Çfarë ndodhi sot?

Kryeministri Edi Rama foli sot me rastin e hapjes së Javës së Evropë, lidhur me ecurinë e procesit të integrimit europian dhe ngërçin e krijuar me IBAR-in.

Në deklaratën e tij, Rama tha se Shqipëria nuk negocion drejtpërdrejt me shtetet anëtare, por me Komisionin Evropian.

Konteksti

Deklarata vjen në një moment, kur debati për integrimin është ndërthurur me zhvillime të brendshme dhe konkretisht hetimet e drejtësisë ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Hetimi ndaj Ballukut është kthyer në një përplasje të hapur mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, veçanërisht Gjykatës së Posaçme dhe SPAK, të cilat kanë ndërmarrë masa që më pas janë kundërshtuar politikisht nga mazhoranca.

Kryeministri Rama ka sulmuar publikisht vendimet e GJKKO-së. Në këtë klimë, edhe Parlamenti Evropian ka mbajtur qëndrime kritike.

“Kush flet për bllokim, po shet ajër”

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sërish të mbrojë narrativën e tij për procesin e integrimit europian duke e zhvendosur debatin nga politika te teknikaliteti institucional.

“Të thuash se u bllokua procesi nga ‘x’ apo ‘y’ është të shesësh ajër. Dhe kush beson se ajri blihet, e blen,” deklaroi ai.

Duke iu referuar mënyrës së funksionimit të negociatave, Rama theksoi se Shqipëria nuk ka përballë shtetet anëtare në tryezën e negociatave, por Komisionin Evropian.

“Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria me Bashkimin Evropian, por diskuton Komisioni Evropian me shtetet anëtare. Shqipëria negocion me Komisionin, nuk negocion me shtetet. Komisioni Evropian i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe për piketat e ndërmjetme. Tani është Komisioni që po diskuton me shtetet anëtare,” tha ai.

Mesazhi i deklaratës

Në thelb, Rama përpiqet ta reduktojë debatin për integrimin në një çështje thjesht procedurale mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, duke shmangur dimensionin politik që ky proces ka realisht në Bruksel, ku vendet anëtare mbeten faktor vendimtar në çdo hap të avancimit.

Por kjo qasje, e cila shpesh vë theksin te “kuptimi teknik i BE-së”, krijon një kontrast të dukshëm me realitetin politik të procesit të zgjerimit, ku raportet e sundimit të ligjit, perceptimi për korrupsionin dhe qëndrimet e institucioneve evropiane luajnë rol të drejtpërdrejtë.

Në këtë kuadër, deklarata e Ramës tingëllon më shumë si një përpjekje për të neutralizuar kritikën e brendshme sesa si një shpjegim i plotë i dinamikës reale të negociatave. Ironia qëndron në faktin se sa më shumë procesi paraqitet si “thjesht teknik”, aq më shumë shtohen pikëpyetjet rreth tij.

Ndërhyrjet politike të Ramës

Hetimi ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku është kthyer në një betejë të hapur mes Kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve të drejtësisë, të cilën vetë qeveria e ka promovuar si “të pavarur” si pjesë e reformës në drejtësi.

Por, paradoksi institucional qëndron në faktin se ndërsa kjo reformë është paraqitur si një nga arritjet kryesore të Rilindjes, vetë Rama është përfshirë drejtpërdrejt në debatet mbi vendimet e Gjykatës së Posaçme dhe SPAK, duke sfiduar publikisht disa prej tyre.

Qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e GJKKO-së që pezullonte Ballukun nga detyra, duke e konsideruar atë antikushtetues – një lëvizje që ngriti pikëpyetje mbi kufirin mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Rama sulmoi ashpër Gjykatën e Posaçme, duke e cilësuar mënyrën e nisjes së hetimeve si të deformuar dhe të ndikuar nga presioni publik dhe mediatik.

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të ‘stacionit të trenit’, që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zienin 700 tenxhere”, deklaroi Rama.

SPAK, imuniteti dhe sinjalet nga Parlamenti Evropian

Në nivel ndërkombëtar, çështja Balluku është përmendur edhe në kontekstin e reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, David McAllister, deklaroi në një vizitë në Tiranë se kjo çështje përbën “test kritik për Shqipërinë” në përballjen me korrupsionin, duke theksuar se përgjegjësia duhet të adresohet brenda institucioneve shqiptare.

“Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh McAllister./ Politiko.al

Të fundit