Flash News

KRYESORE

Maturantët si ‘Turi’ në varkë, si do formulohen testet këtë vit?

Maturantët si ‘Turi’ në varkë, si do formulohen
Foto e krijuar nga IA

Është bërë publike sot rregullorja zyrtare e Maturës Shtetërore 2026, së bashku me kalendarin e zhvillimit të provimeve për nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional.

Sipas njoftimit zyrtar, provimet do të zhvillohen në këto data:

2 qershor – Provimi i gjuhës së huaj

9 qershor – Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë

16 qershor – Provimi i matematikës

23 qershor– Provimi me zgjedhje

Edhe pse në letër distanca mes provimeve duket e mjaftueshme, për maturantët kjo periudhë shpesh shndërrohet në një garë stresi dhe lodhjeje të vazhdueshme.

Nxënësit përballen me kalimin nga një lëndë në tjetrën, me kërkesa të ndryshme përgatitore dhe me presionin për rezultate të larta, çka e bën të vështirë përvetësimin cilësor të njohurive brenda pak ditësh.

Kjo situatë është shoqëruar ndër vite me ankesa për lodhje psikologjike dhe ndjesi pasigurie për provimet pasuese.

Shembulli më domethënës mbetet viti 2020, kur menjëherë pas provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, maturantët e gjimnazeve të Tiranës protestuan përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kundërshtuan ashpërsinë e testit, duke e cilësuar atë me pyetje abstrakte, me shumë tekste dhe jashtë modeleve orientuese të shpërndara më parë.

 Maturantët deklaruan se testi nuk i ishte përmbajtur standardeve të viteve të kaluara, duke e bërë të vështirë përballimin e provimeve të radhës.

Një nga shqetësimet kryesore të nxënësve lidhet me hartimin e pyetjeve. Sipas tyre, testet shpesh përmbajnë kërkesa që fokusohen më shumë te interpretimi abstrakt dhe logjika e ndërlikuar sesa te programi i zhvilluar gjatë vitit shkollor.

Njëra ndër pyetjet kryesore që revoltoi më shumë maturantët dhe që u shpërnda më pas në rrjet kishte të bënte me “Turin”, një personazh pjesë e një problemi. Pyetja që duket shumë e çuditshme dhe mund të kërkojë studim u kthye në parrullën kryesore të protestës.

Më poshtë, po e sjellim të plotë pyetjen:

“5. Lexoni paragrafin e meposhtëm

Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkën, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.

Cila nga pyetjet e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?

A) Duke u përqendruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për të kthyer barkën në nja pozicion te sigurt.

B) Ndërkohë, uji i ftohtë lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.

C) Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.

D) Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati përmbysi barkën.”

Kjo krijon hendek mes asaj që mësohet në klasë dhe asaj që kërkohet në provim, duke e bërë përgatitjen të pasigurt dhe të fragmentuar.

Edhe raportet ndërkombëtare e mbështesin këtë shqetësim. Gjetjet e PISA-s tregojnë se nxënësit shqiptarë kanë vështirësi në të kuptuarit e tekstit dhe në zgjidhjen e problemeve, çka reflektohet drejtpërdrejt në mënyrën se si ata përballojnë provime të strukturuara me pyetje analitike, pa pasur kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur mes lëndëve.

Nxënësit kërkojnë që testet të jenë të parashikueshme, të bazuara në modelet orientuese dhe të harmonizuara me programin mësimor, në mënyrë që koha mes provimeve të shërbejë realisht për përgatitje dhe jo për rikuperim nga stresi.

Çdo vit, procesi i Maturës Shtetërore shoqërohet me problematika të përsëritura lidhur me publikimin e tezave të provimeve. Edhe pse rregullorja ndalon rreptësisht shpërndarjen e tyre, tezat dhe zgjidhjet përfundojnë shpesh në rrjetet sociale pak minuta pas nisjes ose menjëherë pas përfundimit të provimit, duke vënë në dyshim integritetin e procesit dhe barazinë mes maturantëve.

Autoritetet arsimore e kanë cilësuar këtë fenomen si të papranueshëm, por masat ndëshkuese mbeten të paqarta dhe të kufizuara, duke bërë që problemi të përsëritet nga një vit në tjetrin, pa një zgjidhje përfundimtare.

Mbetet për t’u parë nëse Matura 2026 do të arrijë të adresojë problematikat e përsëritura, apo nxënësit do të përballen sërish me provime që testojnë më shumë qëndrueshmërinë psikologjike sesa dijen reale./ POLITIKO.AL

Të fundit