Flash News

KRYESORE

Prokurorimet publike: Propaganda e shifrave përballë alarmit europian

Prokurorimet publike: Propaganda e shifrave përballë alarmit europian
Foto e gjeneruar me AI

Çfarë ndodhi sot?

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë për shtyp se Shqipëria ka bërë përparim në fushën e prokurimeve publike, duke e krahasuar performancën e vendit me mesataren e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, kontratat me një ofertues të vetëm në Shqipëri janë 23.5%, ndërsa mesatarja e BE-së është 32.3%. Rama shtoi se në vitin 2025, vetëm 12% e prokurimeve publike në Shqipëri janë mbyllur me një ofertues të vetëm, krahasuar me 14% në BE.

Ai theksoi se Shqipëria ndodhet “në një fazë të avancuar të negociatave” me Bashkimin Evropian në këtë fushë.

Konteksti

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur institucionet e BE-së vazhdojnë të kërkojnë forcim të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.

Në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, theksohet nevoja përforcim të transparencës në prokurime publike, kontroll më të fortë të konfliktit të interesit, vlerësim të rreziqeve të integritetit, masa parandaluese në sektorë me risk të lartë si ndërtimi, koncesionet dhe licencimet, si dhe harmonizim të plotë të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së.

Skandali me AKSHI-n

Prokuroria e Posaçme, pas një operacioni sekret, goditi zyrtarisht AKSHI-n, në kuadër të një hetimi të lidhur me dyshime për abuzime në procedurat tenderuese të institucionit. SPAK caktoi fillimisht masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanajn, e cila akuzohej për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

SPAK vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha nga procedurat e kontestuara. Po ashtu SPAK lëshoi urdhër-arrest edhe pë Ergys Agasin i cili ndodhet në arrati.

SPAK sekuestroi mbi 40 milionë euro pasuri në kuadër të hetimeve, ku spikatën edhe apartamente, vila, llogari bankare dhe një automjet i Karçanajt. Ish-drejtoresha e AKSHI-t posedonte një apartament me vendndodhje në rrugën e “Kavajës” me sipërfaqe 73.5 m2, një apartament në rrugën “Dervish Hima”, një apartamenti në Qerret.

Madje, Rama mori në mbrojtje Mirlinda Karçanajn pasi SPAK goditi skemën e AKSHI-t, duke i qarë hallin se jetonte në shtëpi me qira.

“Po sikur Linda Karcanaj të jetë krejt e pafajshëm dhe jo një kriminele, pjesë e një grupi të strukturuar, si personazhi që ka krijuar për të nguti për ta arrestuar dhe për ta masakruar me bomba artizanale, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila e makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe që siç mora vesh as nuk e nget makinë dhe nuk e ka një të tillë”, deklaronte Rama.

'Plaçkitësja më e madhe e buxhetit'

Debati mbi tenderat dhe koncesionet është shoqëruar prej vitesh edhe me akuza politike dhe kallëzime në SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë. Një nga emrat më të përmendur në këto përplasje është ai i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Ndaj Ballukut, të cilën ish-zv.kryeministri Ahmetaj e ka cilësuar “plaçkitësen më të madhe të buxhetit të shtetit”, janë depozituar disa kallëzime në Prokurorinë e Posaçme nga opozita, me akuza që lidhen me shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe dyshime për favorizim në koncesione publike.

Në vitin 2024, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kreut të grupit Gazment Bardhi, kallëzoi Ballukun në SPAK lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë. Opozita pretendon se kostoja e projektit është fryrë me rreth 30 milionë euro, duke ngritur dyshime për favorizim të një kompanie turke.

Akuza të tjera janë ngritur edhe për: koncesionin e Portit të Vlorës, projektin “Vlora Marina”, rugën Korçë–Ersekë, si dhe koncesionin e kalatës së Portit të Durrësit.

Balluku po hetohet nga SPAK për dyshime në shkelje të barazisë në tendera dhe procedura të prokurimeve publike gjatë ushtrimit të detyrës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

SPAK e ka regjistruar si person nën hetim për shkelje të barazisë në tendera. Sipas SPAK, përpos Tunelit të Llogarasë, Balluku është nën hetim edhe për 7 procedura të tjera prokurimi:

Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT;

Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2;

Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Raporti i PE rrëzon propagandën e Ramës

Raporti i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian thekson se Shqipëria ende nuk e ka përfunduar plotësisht përafrimin e kuadrit ligjor për prokurimet publike dhe shoqëritë tregtare me standardet e BE-së.

“Insiston se korrupsioni duhet të trajtohet në të gjitha nivelet për të forcuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe për të mundësuar një mjedis biznesi të parashikueshëm; bën thirrje për forcimin e transparencës, kontrolleve të konfliktit të interesit, vlerësimeve të rrezikut të integritetit dhe masave parandaluese të synuara në sektorë me rrezik të lartë, veçanërisht në prokurimet publike dhe koncesionet, licencimet dhe inspektimet, si dhe në ndërtim dhe planifikim hapësinor.”

Ai kërkon gjithashtu mbikëqyrje më të fortë parlamentare, auditime të pavarura, transparencë të plotë në procedurat e tenderave,

“Shpreh shqetësim se kuadri ligjor për prokurimet publike, si dhe legjislacioni për të drejtën e shoqërive tregtare, nuk janë plotësisht të harmonizuara me acquis të BE-së; u bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë përpjekjet për të përafruar plotësisht legjislacionin e Shqipërisë me acquis të BE-së; kërkon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare, auditimeve të pavarura dhe transparencës së plotë në procedurat e prokurimeve publike, për të siguruar përputhjen me standardet e BE-së për konkurrencën, mbrojtjen e të dhënave dhe anti-korrupsionin.”/ Politiko.al

Të fundit