Flash News

OP-ED

Kur në Ballkan flitet për 'zgjidhje historike', kini kujdes

Kur në Ballkan flitet për 'zgjidhje historike', kini kujdes

Vladimir Gligorov

Tashmë ushtritë janë në gatishmëri. Po mobilizohen aleatët. Shkëmbehen akuza. Skicohen kufinj. Liderët garojnë për patriotizëm. Opinioni publik mbulohet me lajme mbi armiqtë e këqinj që mendojnë gjërat më të pakuptueshme. Shkëlqyeshëm.

Cili është qëllimi i gjithë kësaj? Le ta marrim se nuk dashkan konflikt ushtarak, çfarë synojnë? Qëkur filloi puna me atë ndërkufizimin, kam mbetur i tmerruar sesa shumë njerëz e shihnin atë si mundësi e zgjidhjes së konfliktit. Për më shumë, madje, zgjidhje historike. Që në momentin kur njerëzit i’a fillojnë të flasin për zgjidhje historike, duhet filluar të kemi kujdes. Edhe sikur të ishte fjala për ndonjëfarë territori ku nuk ka patur konflikte, ose le të themi nuk ka patur që dje, por në këtë rast të gjithë ndoshta e dinë se si është dukur historia se zgjidhjeve të ashtuquajtura çështje kombëtare në territorin e ish Jugosllavisë. Nga ana tjetër, Sllovenia dhe Kroacia nuk po mund të merren vesh mes tyre mbi kufirin, mbi ndërkufizimin në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Megjithëse bëhet fjalë për vende që, si antarë të Bashkimit Europian, madje edhe nuk kanë kufinj të vërtetë mes tyre.

Pra, që Serbia të rimarrë territoret në Veri të Kosovës, do të duhet t’i pushtojë ushtarakisht, ose t’i çlirojë, sikurse flet ndokush. Njëlloj është puna edhe me Luginën e Preshevës, për të cilën z. Thaçi nuk po pushon së foluri. Por, meqenëse të dyja palët e kuptojnë fort mirë problemin, nuk është e papritur se do të shohin të forcojnë pozitat e tyre para se të mendojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë me të vërtetë. Dhe atëherë gjërat nuk do të mund të jenë ndryshe veçse, nga dita në dita, nga veprimi në veprim, gjithnjë e më keq.

Këtu kemi të bëjmë edhe me krenarinë e njerëzve në pushtet. Le ta marrim për shembull fjalimin e z. Vuçiç në Parlamentin serb. Në masën që ai i’u drejtua opinionit publik të huaj, mesazhi ishte se vetëm me atë ka kuptim të bisedohet dhe negociohet, sepse opozita nuk ka se çfarë të ofrojë. Nuk ka oferta, opozita, as për fuqitë e huaja dhe as për opinionin publik vendor. Kjo, duke patur parasysh se nuk është ende e qartë se çfarë saktësisht ofron ai, shkon sëbashku me paralajmërimin adresuar të gjithëve dhe kërcënimet drejtuar armiqve se ushtria është gati. Dhe ja ku na del, sikurse thotë një faktor stabiliteti.

Në anën tjetër, z. Thaçi thotë se e gjitha kjo është kërcënim i zbrazët, sepse Vuçiçi nuk është në gjendje të bëjë asgjë, dhe akoma më keq, nuk mund të bëjë asgjë me këtë ushtri që ka në dispozicion. Këtu duhen shtuar edhe deklaratat e zakonshme dhe të papërgjegjshme të Zotit Daçiç dhe ja ku vimë te gjendja në të cilën që të gjithë gjenden përballë sfidës për të treguar se janë një forcë të cilën duhet ta kenë mirë parasysh. Hapi pasardhës është që të mobilizohen të gjithë serbët kudo që të jenë po ashtu edhe shqiptarët kudo që të jenë, që të degradohen ndër vedi- të themi gjendjen në të cilën në të dyja palët të flasin për njëra për tjetrën si për një fundërrinë morale dhe për pasojë duhet vepruar.

Deri këtu nuk ka për të ardhur puna, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të vijë, para së gjithash sepse ekzistojnë detyrime dhe mjete të qarta ndërkombëtare që të ruhet kufiri mes Serbisë dhe Kosovës. Në mënyrë legale, mbi bazën e Rezolutës 1244, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vendimi sipas të cilit, le të themi ushtria serbe të marrë Veriun e Kosovës, do të shpinte në ndryshime të thella në pozitën ndërkombëtare të vetë Serbisë. Jo vetëm si pasojë e ndonjë konflikti eventual, jo vetëm me forcat kosovare por me forcat ndërkombëtare. Nuk është e papërfytyrueshme që Rusia, dhe me një angazim më të vogël, edhe Kina, do të shprehin mbështetje, ose më mirë të themi mirëkuptim, por kjo do ta vinte Serbinë dhe liderët e saj në pozitat e Republikës Srpska dhe pushtetarëve të saj. Për të mos folur pastaj për raportet me fqinjët, ata direktë dhe indirektë.

Kësisoj nuk është krejtësisht e qartë se cili është saktësisht ky qëllim? Zotërinjtë Vuçiç dhe Daçiç nuk janë bash në kulmin e popullaritetit të tyre dhe të mbështetjes popullore, por gjithsesi nuk i kërcënon humbja e pushtetit në mënyrë direkte. Nga ana tjetër, meqënëse nuk ka shumë gjasa që pushteti në Kosovë të lëshojë rrugë, ecuria nuk duket të jetë shumë e lavdishme. Por me siguri nuk është e qartë nëse pushteti serb është i gatshëm për gjendjen e radikalizuar që vjen më pas nëse do të bëhej me të vërtetë ndërkufizimi.

Përsëri, po ashtu nuk është i kuptueshëm fakti sesi është puna që ata në bashkësinë ndërkombëtare që merren me këtë konflikt nuk po e kuptojnë se çfarë janë konfliktet territoriale në Ballkan, si edhe kudo tjetër, është krejtësisht i paqartë edhe fakti se politikanët serbë nuk po mund ta shohin qartë se ku i shpie vringëllimi i armëve. Njëlloj siç nuk është e qartë sesi z. Vuçiç, dhe për këtë ekzistojnë të gjithë shanset, nuk po e kupton rrezikun me të cilin përballet ai të cilin fuqitë e huaja e shohin si faktor stabiliteti.

Pra, siç do të mund të parashikohej, asgjë e mirë nuk mund të pritet kur fillohet të flitet për territoret. Tani për tani po shkon keq e më keq.

Nga i njëjti autor

*Vladimir Gligorov është Profesor në Vienna Institute for International Economic Studies. Ai eshte i biri i ish-Presidentit maqedonas, Kiro Gligorov. Shkrimi është botuar në "Novi Magazin“.

**Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit