Flash News

KRYESORE

Mediat në Kosovë: Ky është qëllimi i vërtetë i vizitës së Ramës në Prishtinë

Mediat në Kosovë: Ky është qëllimi i vërtetë

Kryeministri Edi Rama prej ditës së djeshme ka nisur një vizitë dy-ditore në Kosovë, duke takuar përfaqësuesit kryesorë politikë.

Vizita e tij vjen pak ditë pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Dje, para nisjes së takimeve, kryeministri shkruante në rrjetet sociale se është në Prishtinë për të  mësuar më shumë pas fletërrufesë speciale.

“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletërrufesë speciale, që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, shkroi Rama në “Twitter”.

Mirëpo, sipas mediave në Kosovë, kryeministri shqiptar ka ardhur me misionin që të unifikojë të gjitha partitë, pas publikimit të aktakuzës së parë ndaj presidentit Thaçi dhe Veselit, ndërsa këto burime shtojnë se Rama u ka thënë liderëve se aktakuza e vë në rrezik shtetin e Kosovës.

“Diskursi i tij më shumë ka qenë i orientuar rreth asaj se është koha të bëhemi bashkë kundër kësaj që po i ndodh Kosovës, dhe se aktakuza është e drejtuar kundër shtetit të Kosovës”, ka thënë një burim që ishte prezent në njërin prej takimeve të së hënës.

Dje Rama u takua me kreun e Nismës socialdemokrate, Fatmir Limajn, më pas me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe më pas Presidentin Hashim Thaçin.

Megjithatë, pas këtyre takimeve, Rama nuk ka dhënë asnjë prononcim.

Ndërkohë sot, Rama pritet të takohet në orën 9:00 me Isa Mustafën, në orën 11:00 me Ramush Haradinajn, në orën 12:00 me Behgjet Pacollin, në orën 13:00 me Shpend Ahmetin, kurse në orën 14:00 do të zhvillojë një konferencë për mediat nga Prishtina.

Të fundit