Flash News

KRYESORE

Nënshtetësia për vëllezërit indianë, Meta dhe Bushati reagojnë në të njëjtën kohë: Përgjegjës është SHISH

Nënshtetësia për vëllezërit indianë, Meta dhe

Presidenti Ilir Meta dhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë reaguar pothuajse në të njëjtën kohë për skandalin e dy vëllezërve indianë me nënshtetësi shqiptare, Nitin dhe Chetankumar Sandesara dhe që janë shpallur në kërkim nga India për mashtrime bankare.

Bushati ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Jashtme për të emëruar Nitin Sandesara konsull nderi të Shqipërisë në Nigeri. Ai thekson se për emërimin e Sandesarës janë zbatuar procedurat e përcaktuara në Konventën e Vjenës, ndërsa verifikimet i kanë kryer agjencitë e specializuara në vend, në këtë rast është Shërbimi Informativ Shtetëror.

“Një prej rregullave më elementare të gazetarisë dhe informimit publik në një shoqëri demokratike është verifikimi i fakteve, rregullave dhe procedurave ligjore që udhëheqin një proces, për të cilin raportohet. Sikundër kontaktimi i institucioneve dhe personave të përmendur në lajm me qëllim informimin e paanshëm dhe zbardhjen e të vërtetës. Përsa kohë kjo nuk ka ndodhur me lajmin e publikuar në Top Channel, e ndjej për detyrë të informoj opinionin publik se procedurat për emërimin e konsujve të nderit janë të përcaktuara qartë në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Në çdo rast janë agjencitë e specializuara të vendit propozues dhe atij pritës që kryejnë verifikimin e pastërtisë së personit. Mjafton hulumtimi i dokumentacionit për këtë rast për të kuptuar se është zbatuar në menyrë rigoroze procedura”, shprehet Bushati.

Vetëm 30 minuta pas reagimit të Ditmir Bushatit, zyra e presidentit të Republikës ka sqaruar vendimin për t’i dhënë dy vëllezërve indianë nënshtetësitë shqiptare, nëpërmjet të cilës i kanë shpëtuar drejtësisë.

Edhe Ilir Meta bën përgjegjës SHISH-in, ndërsa propozimi për nënshtetësinë ka ardhur nga Ministria e Turizmit.

“Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi sqaron lidhur me procedurën për dhënien e shtetësisë shqiptare, shtetasve të huaj, z. Nitin Jayantilal Sandesara dhe z. Chetankumar Jayantilal Sandesara, se:  Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit  9  të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Dyshimet mbi imunitetin që kanë fituar dy vëllezërit Sandesara në Shqipëri vijnë për shkak se emërimi në pozicionin e konsullit dhe marrja e nënshtetësisë kanë ndodhur pasi ata ishin shpallur në kërkim nga India.

Politiko.al raportoi më 20 mars për skandalin ku ishin përfshirë dy biznesmenët indianë, të cilët po i shmangen drejtësisë indiane me nënshtetësinë shqiptare. Më pas u raportua për investimet e Sandesarave në jug të vendit, në një resort luksoz, ndërsa sot u bë publik faktin që njëri prej tyre rezulton të jetë konsull i Shqipërisë në shtetin afrikan.

Kush janë vëllezërit Sandesara

Dy vëllezërit Sandesara janë drejtues të kompanisë farmaceutike ‘Sterling Biotech Ltd’ (SBL), pjesë e grupit ‘Sandesara’ me bazë në Gujarat të Indisë. Kjo kompani është përfshirë në një skandal të madh mashtrimi bankar dhe pastrimi të parave në Indi, ndërkohë që autoritetet e këtij shteti po kërkojnë ekstradimin e dy biznesmenëve.

Ata akuzohen se kanë krijuar të paktën 200 kompani fiktive për të bërë të mundur fshehjen apo pastrimin e rreth 1 miliard dollarë

Gjykata në Nju Delhi ka miratuar së fundmi kërkesën për ekstradimin e Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, e cila do t’u dorëzohet autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet indiane akuzojnë dy biznesmenët se me qëndrimin në Shqipëri po i shmangen procesit gjyqësor që ka nisur në vendin e tyre.

Të fundit