Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Skandali 1 mld $, arrestohet në Rinas kunati i biznesmenëve indianë
Arrestohet nga Interpol Tirana, njëri nga bashkëpunëtorët e dy vëllezërve biznesmenë nga India, të cilët kërkoheshin në të gjithë botën si të përfshirë në një skandal të madh mashtrimi bankar dhe pastrimi të parave në Indi, i denoncuar fillimisht nga politiko.al.
Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara që prej 16 shkurtit të vitit 2018-të janë bërë shtetas të Republikës së Shqipërisë, pasi dy indianëve u është dhënë nënshtetësia shqiptare me dekret të presidentit Ilir Meta.
Policia njofton se sot, bashkëpunëtori i tyre Hiteshkumar Patel u arrestua në aeroportin e Rinasit, në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Hiteshkumar Patel është vëllai i bashkëshortes së Cetan Sandesaras, i cili ishte dhe një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë “Sterling Biotech” dhe sipas mediave indiane, arkitekti që krijoi skemën gjigante të mashtrimit financiar.
“Arrestohet provizorisht një shtetas indian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, me qëllim ekstradimi drejt Indisë.
Interpol Tirana në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rinas arrestuan provizorisht shtetasin indian: H.P 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri Ky shtetas është kapur në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Nju Delhi/ Indi.
Gjykata Patiala House/Nju Delhi, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave”.
Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana”, sqaron policia.
Kush janë vëllezërit Sandesara
Dy vëllezërit Sandesara janë drejtues të kompanisë farmaceutike ‘Sterling Biotech Ltd’ (SBL), pjesë e grupit ‘Sandesara’ me bazë në Gujarat të Indisë. Kjo kompani është përfshirë në një skandal të madh mashtrimi bankar dhe pastrimi të parave në Indi, ndërkohë që autoritetet e këtij shteti po kërkojnë ekstradimin e dy biznesmenëve.
Ata akuzohen se kanë krijuar të paktën 200 kompani fiktive për të bërë të mundur fshehjen apo pastrimin e rreth 1 miliard dollarë
Gjykata në Nju Delhi ka miratuar së fundmi kërkesën për ekstradimin e Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, e cila do t’u dorëzohet autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet indiane akuzojnë dy biznesmenët se me qëndrimin në Shqipëri po i shmangen procesit gjyqësor që ka nisur në vendin e tyre.
Aktiviteti në Shqipëri
Ndonëse presidenti Meta ka miratuar dhënien e nënshtetësisë për Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, aktiviteti i dy biznesmenëve në vendin tonë nuk është shumë i qartë.
Ata kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit një kompani të quajtur ‘Laxmi Reale Estate & Investment’, që ushtron aktivitet në fushën e ndërtimit. Kompania është e regjistruar në rrugën ‘Hamdi Garunja’ në Farkë të Tiranës, ndërkohë që nuk ka informacion të saktë për godinën ku ndodhet.
Kompania nuk ka as faqe zyrtare në internet, ku të jenë pasqyruar investimet e saj në Shqipëri.
Sipas ekstraktit në ‘QKB’, vlera e kapitalit deklarohet thjesht ‘50,00’. Dy ortakët e vetëm janë vëllezërit Sandesara.
Politiko.al komunikoi me përfaqësues të kompanisë ‘Laxmi’, por ata deklaruan se nuk kanë ende një informacion mbi çështjen e ekstradimit.