Flash News

OPINEWS

Avokat i Popullit apo shkulës i perdeve që ndajnë jetën publike nga ajo private?!

Avokat i Popullit apo shkulës i perdeve që ndajnë jetën

NGA Elona Caslli

Milan Kundera në një prej librave të tij do të shkruante "  Jeta private dhe publike janë dy botë të ndryshme në thelb. Respektimi i këtij ndryshimi është kushti  që njeriu mund të jetojë si njeri i lirë; që perdja e cila ndan këto dy botë, është e paprekshme dhe shkulësit e perdeve janë kriminelë.

Kam thënë së përhapja e intimitetit të tjetrit, sa po bëhet zakon dhe rregull, na fut në një epokë, basti më i madh i së cilës, është mbijetesa ose zhdukja e individit."

Institucioni i Avokatit të Popullit, që drejtohet nga Endri Shabani, duket se ka probleme të theksuara me Kodin e Etikës në mënyrën si i qaset taksapaguesve përmes publikimeve në faqen zyrtare.

Veç faktit të mungesës së etikës, kur titullari i bashkëngjit llogarinë e tij personale në fejsbuk faqes zyrtare të institucionit, ditët e fundit ka dalë në pah edhe ajo çka Kundera e quan me të drejtë " Zhdukja e individit".

Avokati i Popullit ka krijuar një rubrikë të titulluar

" Histori Suksesi". Në këtë rubrikë rrëfen historinë e një gruaje të dhunuar, që përmes ndërhyrjes se Avokatit të Popullit ka arritur të gjejë një vend pune në qytetin ku jeton.  Në pamje të parë nuk ka kurrfarë thyerje të etikës, por po të lexosh tekstin e plotë që shoqëron posterin e ke të vështirë të dallosh nëse kjo grua është ndihmuar apo është ekspozuar publikisht në të gjithë dramën e saj?!

Në tekstin që shoqëron posterin në faqen zyrtare te Avokatit të Popullit kemi këto të dhëna për gruan " e ndihmuar" : emrin e gruas,  qytetin ku gruaja jeton, historinë e dhunës në familje, gjendjen shëndetësore të fëmijës së sëmurë, përshkrim tepër të detajuar të situatës ekonomike dhe vendin e punës dhe turnin e natës gjatë të cilit gruaja mund të punojë.

Natyrshëm lind pyetja; Të gjitha këto të dhëna, a e bëjnë lehtësisht të identifikueshme dhe të cënueshme këte grua në komunitetin ku jeton?!

Kushdo, që ngrihet në nivel mendimi, do të përgjigjej thjesht " po". Ky është cënim i mirëfilltë i privatësisë dhe Kodi i Etikës së administratës publike e shpreh qartazi se çdo institucion ka detyrimin të mbrojë privatësinë dhe dinjitetin e individit.

Në këtë rast Avokati i Popullit ka shkulur perden e dimensionit privat të kësaj gruaje dhe këtë dimension e ka përdorur si mjet të komunikimit publik.

Avokati i Popullit duhet të lexojë pashmangshmërisht Kodin e Etikës së Administratës Publike dhe të kuptojë se në

" Historitë e tij të Suksesit" duhet të minimizojë të dhënat personale dhe të shmangë detajet e panevojshme që e bëjnë një individ të indentifikueshëm në qytetin ku jeton.

 Post Scriptum-  Institucioni i Avokatit të Popullit nuk është hapësirë personale e Endrit Shabanit, por hapësirë institucionale që funksionon sipas disa rregullave dhe parimeve bazë.

Të fundit