Flash News

OPINEWS

‘Spitali i detit’ në Barcelonë dhe tahmaja e mafias që kontrollon Shqipërinë

‘Spitali i detit’ në Barcelonë dhe tahmaja e mafias

Naum Mara
Në Barcelonë ka shumë “bukuri” që lidhen me konceptimin e hapësirës brenda qytetit dhe me ndërtimet. Mundet të zgjatesh e të zgjatesh duke përshkruar karakteristika të lagjeve të saj, si dhe të objekteve të veçanta, duke filluar me ato të 200-300 vjetëve më pare, e duke vazhduar me ndërtimet moderne.

Por, diçka që nuk e kisha hasur në ndonjë qytet tjetër, më la më shumë mbresa se Sagrada, Casa Gaudi, madje edhe se pavioni i Van der Rohes.

Ishte një kompleks shëndetësor, bashkë me disa klinika dhe objekte të tjera ndihmëse. Quhej Hospital del Mar (Spitali i Detit). Ishte pak më tej se plazhi Barceloneta, më pranë detit se rrugët që projektohen në qytetet shqiptare dhe që, në një mënyrë “majmunore” quhen Lungomare. Plazhi që i përkiste spitalit dhe ndërtimeve më pas tij quhej Sorromostro. Nga rëra, ku njerëzit shkonin dhe nuk kishte as shezlongje dhe as çadra për të paguar, e ndante një trotuar i gjerë, që shërbente edhe për hyrjen e këmbësorëve në spital dhe në klinika, por kryesisht për shëtitjen e të gjithë atyre që donin të shijonin bukurinë e detit në çdo ditë të vitit. Po në atë trotuar dilnin të sëmurët duke ecur vetë, ose në karriget me rrota, të shoqëruar nga infermieret ose të afërmit. Shijonin diellin që nuk ndahej thuajse gjithë ditën dhe bukurinë e Mesdheut. Në plazhet e bukur Sorromostro dhe Barceloneta.

Pak më tej një kompleks ndërtimor tepër modern, për të cilin i nisur nga shabllonet që kam në kokë për zonat turistike, mendova se do ishte një qendër e madhe tregtare, por në të vërtetë ishte një Institut Studimor i quajtur “Parc de Ricerca Biomedica”. I projektuar me shumë shije dhe besoj se luan rol në studime për trajtime mjekësore të mbështetura jo te “Kimia”, por edhe në mbrojtjen e ujërave të detit më të rëndësishëm në glob.

Nuk kishte asgjë spektakolare në arkitekturën e Spitalit të Detit. Nuk di as se ç’lloj hapësirash dhe sa të këndshme ishin për pacientët dhe personelin në brendësinë e tij. Nuk u përpoqa ta vizitoja. Por mrekulluese ishte ideja që, për një nga shtresat më delikate të një qyteti, që janë të sëmurët, bashkësia qytetare kishte rezervuar një nga vendet me pamjen më të bukur, dhe që ishte e ekspozuar ndaj diellit dhe ajrit të pastër gjithë ditën. Për t’i bërë të sëmurët të ndjeheshin psikologjikisht më mire, për të bërë që të shëroheshin më shpejt, shumë nga dritaret e dhomave të tyre shihnin detin.

Ato 100-130 metra, ku shtrihej kompleksi i Spitalit të Detit përgjatë plazhit, nuk iu ishin “shitur” korporatave që kanë në pronësi hotelet turistike. Nuk ishin lënë për të krijuar komplekse dëfrimi pranë plazhit (më tej kishte dhe të tilla dhe ishin më të famshmet në Barcelonë). Por iu ishin lënë njerëzve që vuajnë, ku nuk hyjnë vetëm pacientët, por edhe familjarët që i vizitojnë. Shërbimi me autobus qytetës deri tek dera e spitalit, ishte jo vetëm i shpeshtë, por edhe disa orë pas mesnate, për të rifilluar më 5 të mëngjesit.

Këto më silleshin në mendje ndërsa lexoja rreth projekteve të Kullave të stërmëdha që priten të ndërtohen në plazhet e Vlorës, Velipojës dhe Sarandës. Përmenden edhe Golemi me Qerretin, por i gjithë plazhi nga Durrësi në Kavajë është tashmë “i mbaruar” dhe shtimi i kullave vetëm sa do shtojë kaosin.

Kullat patjetër do jenë hotele ose banesa kolektive me apartamente të shtrenjta. Nuk mendon njeri për të ndërtuar spitale në breg të detit në Shqipëri. Ndoshta nëpunësve të lartë dhe të mesëm mund edhe t’ju duket një ide idiote nëse një urbanist apo një mjek ua përmend.

Shqipëria po kalon një periudhë të një kapitalizmi të egër dhe tejet të korruptuar, ku asgjë nuk është tashmë pronë e banorëve të saj. Sa vjen e më shumë, hapësirat publike sakatohen dhe ju jepen të ashtuquajturve oligarkë, trafikantëve të drogës dhe korporatave të huaja. Tashmë edhe deti. Nëse do kishin edhe një pjesë të diellit, edhe atë do ua u kishin shitur. Thuajse e kanë shitur dritën e tij që u bie qyteteve shqiptare.

A po arrin fundi, ku nuk mban më?

Nuk kam imagjinatën e nevojshme të mendoj se deri ku mund të shkojë “tahmaja” e këtij grupi mafiozësh që kanë në kontroll Shqipërinë. Ndoshta, po të arrij ta kuptoj, edhe mund të kem probleme serioze të shëndetit mendor.

Por, ndoshta do më pranojnë të kurohem te Spitali i Detit pranë plazheve Sorromostro dhe Barceloneta.

 

Të fundit