Flash News

OP-ED

Përgjegjëshmëria si mal mbi shpinën e 'fitores' së zgjedhjeve pa opozitë

Përgjegjëshmëria si mal mbi shpinën e 'fitores'

Ndriçim Kulla

Një tjerrje e madhe opinionesh vazhdon përditësisht në lidhje me mbajtjen apo jo të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Hidhen britma trimërore nga të dyja palët, që duket të mos lëvizin asnjë centimetër, sikur të qenë në llogoret e një lufte të papajtueshme. Po njerëzit, çfarë mendojnë, a e mban parasysh ndokush? Këtu fillojnë e ndahen palët, te veprimet, po njëlloj si dhe te fjalët. Njëra anë është në terren për të përgatitur demonstratën e radhës, kurse tjetra sapo dha udhër të prerë që të përgatiten grupe njerëzish kudo, në çdo zonë, në çdo vend, për të evidentuar çdo përpjekje për të sabotuar zgjedhjet.

Madje shkoi edhe më tej. Duket që tjerrja e shakave të saj po ecën fort larg, e pas “suksesit” brenda vendit me parlamentin dhe opozitën e klonuar, kërkon të rrokë edhe tregun e jashtëm, me zgjedhjet e klonuara, e të njohura ndërkombëtarisht. Madje nuk do t’i dukej çudi kësaj mazhorance sikur ta nderonin për shakatorinë mbarë-globale që sapo u ofroi shqiptarëve. Një shakatori sa të goditur me penjtë e propagandës më heroike, aq edhe të hidhur me litarët e imagjinatës më cinike. Do të dënohen me heqje vizash hyrje në Amerikë e BE të gjithë fajtorët e prishjes së zgjedhjeve. Me po të njejtën masë ironie le ta vazhdojmë për një çast vijën logjike të këtij veprimi. Po a mendohet vallë se cilët janë këta njerëz që do të dënohen. Populli është në rrugë, kudo ka bllokime rrugësh, kudo politika bëhet edhe në kafene, në sheshe, në punë, madje edhe në shtëpi, ku dhe bashkëshortët janë të ndarë, e jo më pjestarët e kushërinjtrë e një familjeje. Ndaj duket si e padobimshme nisma e marrë për krjimin e grupeve evidentuese, njerëzit janë kapilarisht të ndarë dhe nuk kanë nevojë të evidentohen, sepse tashmë janë të vetë-shpallur nëpër 20 a 30 vite nëpër zgjedhje, greva e demonstrata. Atëherë, si mund të dënohet vallë gjysma e popullit tënd, si mund ta quash të ligjshëm këtë dënim, e më e keqja, si do t’u përgjigjesh vallë me punë dhe ekonomi këtyre njerëzve që i ke dënuar me mos-emigrim.

Po e quaj vetëm një shaka mbarë-globale, përtej se një mënyrë elegante që qeveria po përdor për të shpëtuar prej këtyre njerëzve demonstrues e të panënshtruar ndaj vizionit të saj të “karvanit përpara gjithnjë-ecës”. Ndoshta ajo ka ndërmend një zgjidhje të re, po përgatit një akt të përgjithshëm “azili politik” për të gjithë ata që do të dënohen për pengimin e zgjedhjeve.

Kështu, jo vetëm do të realizojë qëllimin e fitimit të zgjedhjeve pa opozitë, madje në gjysmën e komunave apo bashkive, edhe pa kundërshtarë, por tashmë edhe pa popull opozitar. Ndoshta ambicja është aq e madhe sa të vazhdohet në po këtë udhë pa u lëkundur nga asgjë. Do të qe një pyetje kërshëruese për të gjithë fitimtarët triumfalë e plebishitarë të zgjedhjeve, vetëm një ditë pas tyre: Me ç’supe e shpatulla do ta mbani peshën e fitores me vetëm 20-30% të njerëzve militantë që mund të votojnë, apo me, le të supozojmë, 1-2 % të opozitës, me ç’guxim intelektual, moral, qytetar e le më shtetar e institucional, do vazhdoni të qeverisni?!

Duket se gjithçka është një shaka e madhe sa vetë bota, ndërkohë që e para që duhej të mbizotëronte do të qe një përgjegjshmëri e madhe sa vetë jeta e këtij populli që po i priten damarët soicialë e po lihet t’i rrjedhë qelbi i urrejtjes, i denoncimit, i burgosjes, i mos-emigrimit. A e kanë menduar vallë se etërit e kushtetutave më të njohura të botës, më shumë rëndësi i vënë frymës se gërmës së tyre. Ndoshta të ligjshme zgjedhjet janë edhe me gjysmën e popullit në burg, por në frymë s’janë as legjitime as të pranueshme. Me ç’përqindje vallë ato nuk do të quheshin të rregullta? A ka një ide qeveria për këtë masë, që mund t’i ngjante fare mirë kuorumit të përkrahjes ndaj saj? Nëse njerëzit dezertojnë, a ka vlerë mos-vota e tyre po njëlloj, në mos më shumë, se vota? Atëherë, kur është kaq e sigurt në përkrahjen ndaj saj, pse nuk e vlerëson dorëheqjen ose mos-njohjen e rezultatit të zgjedhjeve qeveria (moralisht dhe në frymë) nëse dezertimi nga urdhërimi i saj i hekurt është në masë. Edhe në gërmë të ligjit, kjo situatë është absurde. Ligjvenësit, padyshim, që e kanë shpikur institucionin e dorëheqjes si një mënyrë për të zgjidhur një konflikt, një ngërç, një “luftë” idesh, opinionesh institucionalë, gjyqësorë e kështu me rradhë. A ka vallë situatë më emblematike për t’u zgjidhur nga institucioni i dorëheqjes se sa kjo? Po edhe nëse qeveria këmbëngul në argumentet e saj, kush organ do ta zgjidhte këtë problematikë, përveç Gjykatës Kushtetuese. Po ku është Gjykata Kushtetuese? Ku ka humbur? Kush e shkriu dhe për çfarë arsyesh e zhbënë? A ka shtet qeveri dhe drejtësi qoftë edhe një ditë pa Gjykatë Kushtetuese? Ajo tash dhe për një kohë të pa caktuar nuk ekziston. Si mund të mos kesh mundësi të çosh për ankim në gjykatë një palë zgjedhje pa kundërshtarë, në një kohë kur shumica e zgjedhjeve të 30 Qershorit do të jenë të tilla?

Është ky një tjetër argument i fortë që përgjegjshmërisë së kyeministrit dhe qeverisë duhet t’i rëndojë si mal mbi shpinë, përtej malit të fitores së zgjedhjeve pa opozitë. Kërshëri e madhe do të qe, nëse besimi i madh në vetvete do ta ndihmonte karvanin të ecte përpara edhe me këtë mal mbi shpinë, vetëm rreziku do të qe si te miti i Sizifit. Nuk ka njeri, apo titan qoftë në imagjinatën e vet si Sizifi, që të mendojë ta ngrejë dot këtë mal të zgjedhjeve deri në majën e vet, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ia urojmë suksesin, edhe pse se arriti dot as titani Sizif.

Megjithtë, ka edhe një forcë tjetër, që mund ta bëjë qeverinë t’i japë fund shakasë që ka marrë dhenë. Përgjegjësia për fatet e tij që populli tashmë e ka rrënjosur thellë në shpirtin e mendjen e vet, dhe nga demonstrata në demonstratë po e bën më të fortë se kurrë ndonjëherë. Kjo përgjegjësi është më e fortë edhe se titani Sizif, e nëse me atë fuqinë e heshtur arrin t’i bojkotojë zgjedhjet me qetësinë dhe madhështinë më të madhe të veprimit qytetar, atëherë Shqipëria do të kishte shpresë se diçka në këtë vend po lëviz, po ndryshon, e po shkon drejt së mirës.      

Të fundit