Flash News

POLITIKOFF

Sa ditë në javë duhet të stërvitem? Përgjigja nuk është aq e thjeshtë

Sa ditë në javë duhet të stërvitem? Përgjigja nuk

Të nisësh një program stërvitjeje nuk do të thotë vetëm të shkosh në palestër apo të ushtrohesh disa herë në javë. Që në fillim, duhet të përcaktosh disa elementë bazë: cili është objektivi yt, ku do të stërvitesh dhe sa shpesh mund t’i përkushtohesh aktivitetit fizik.

Qëllimet janë pika e parë e rëndësishme. Disa synojnë të humbin peshë, të tjerë të shtojnë masë muskulore, të rrisin forcën apo thjesht të përmirësojnë formën fizike dhe shëndetin e përgjithshëm. Po aq i rëndësishëm është edhe ambienti ku do të stërvitesh: në palestër, në shtëpi apo duke kombinuar të dyja.

Një nga pyetjet kryesore mbetet: sa ditë në javë duhet të stërvitesh? Sipas ekspertëve të fitnesit, gjithçka varet nga balanca mes stërvitjes dhe rikuperimit. Për të ndërtuar muskuj, forcë dhe rezistencë, trupi ka nevojë jo vetëm për stimulim të vazhdueshëm, por edhe për kohë rikuperimi.

Profesori i shkencave të ushtrimeve fizike në Universitetin e Karolinës së Jugut, Shawn Arent, shpjegon se nëse nuk stërvitesh mjaftueshëm shpesh, trupi nuk merr stimulimin e nevojshëm për të përmirësuar forcën dhe masën muskulore. Nga ana tjetër, stërvitja e tepërt pa rikuperim të mjaftueshëm mund të ketë efekt të kundërt.

“Trupi ndërton muskuj dhe forcë gjatë rikuperimit, jo gjatë vetë stërvitjes”, thotë ai. Pa ushqimin dhe pushimin e duhur, organizmi nuk arrin të përshtatet me ngarkesën fizike.

Megjithatë, sipas Arent, pyetja më e rëndësishme nuk është “sa herë duhet të stërvitesh?”, por “çfarë është realisht e realizueshme për ty?”. Ai thekson se vazhdimësia është çelësi i suksesit.

“Mund të dëshirosh të stërvitesh pesë ditë në javë, por pyetja reale është: a do ta bësh vërtet?”, shprehet eksperti.

Një program pesëditor mund të duket ideal në teori, por nëse për shkak të kohës, lodhjes apo mungesës së motivimit arrin të ushtrohesh vetëm dy ose tre herë, rezultatet mund të jenë më të dobëta sesa të ndiqje që në fillim një plan më realist dhe të qëndrueshëm.

Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që fillimi me më pak ditë stërvitjeje në javë mund të ndihmojë në krijimin e një rutine afatgjatë dhe më të qëndrueshme.

Të fundit