Flash News

POLITIKOFF

S’keni vendosur ende për verën? Ja disa destinacione për pushime

S’keni vendosur ende për verën? Ja disa destinacione për

Koha po ngrohet, mendja po na shkon te udhëtimet dhe, si çdo vit, fillon ai momenti kur hap 10 tab-e, sheh 100 destinacione dhe prapë nuk je i bindur ku të shkosh. 

Kështu që, siç e kemi zakon në Anabel, iu futëm punës për të bërë “detyrat e shtëpisë” për ju. Këtë herë kemi një sugjerim që nuk është aq i parashikueshëm, por me siguri do të na falënderoni: Malta.

Nga një ishull në tjetrin 

Malta mund të duket si një pikë e vogël në hartë, por në fakt është një arkipelag në mes të Mesdheut, me tre ishuj kryesorë të banueshëm: Malta, Gozo dhe Comino. Prandaj brenda një udhëtimi të vetëm mund të ndihesh sikur ke qenë në disa vende njëkohësisht.

Nga qytete historike si Valletta (që mbrohet nga UNESCO që prej vitit 1980, pra po, ia  vlen realisht), te laguna me ujë aq të kthjellët sa duket si filtër Instagrami (Laguna Blu në Comino), gjithçka është afër, por asgjë nuk është njësoj. 

Kur vendi është i mirë, nuk ka rëndësi muaji 

Çfarë e bën Maltën interesante është fakti që nuk është vetëm një destinacion vere. Ndryshe nga shumë vende mesdhetare që vizitohen vetëm në korrik-gusht, Malta mund të vizitohet gjatë gjithë vitit. Ka mbi 300 ditë me diell, temperatura të buta edhe në dimër (po, rreth 17°C në nëntor) dhe një vibe që nuk ndryshon sipas sezonit. 

Një vend ku çdo cep ka diçka për të treguar 

Pastaj vjen historia, por jo ajo që shumë prej jush e konsiderojnë të mërzitshme dhe i bëjnë skip menjëherë. 

Malta është praktikisht një muze i hapur. Ka tempuj që janë më të vjetër se piramidat. Valletta është nga ato vende ku thjesht ecën dhe sheh: fasada baroke, ndërtesa madhështore dhe një atmosferë që të jep ndjesinë sikur çdo cep ka diçka për të thënë. Mdina, e njohur si “Qyteti i Heshtur”, është një tjetër perlë: rrugë të ngushta, ndërtesa mesjetare dhe një qetësi që e bën gjithë përvojën ndryshe.

Fenikasit, romakët, arabët, britanikët: të gjitha këto qytetërime kanë lënë diçka pas, prandaj ishulli është ndryshe nga çdo vend tjetër në Mesdhe.

Si është në të vërtetë jeta në Maltë 

Tani le të flasim për gjënë që na intereson realisht: si është të jesh atje. 

Në Maltë, dita nuk nis me nxitim. Kafenetë zgjasin më shumë seç duhet, darkat fillojnë  vonë dhe mbarojnë akoma më vonë, dhe askush nuk duket sikur e ka me ngut. Pra, nuk  do të përjetoni asnjë “shok kulturor”, është pak a shumë stili ynë i jetesës. 

Malta konsiderohet një nga shtetet më të sigurta në Europë; ku ndihesh i sigurt dhe  lëviz pa stres. Vendasit janë miqësorë, gjithmonë gati të të ndihmojnë, të të orientojnë ose të të sugjerojnë një vend të mirë ku mund të shijosh gatime tradicionale maltese.

Dhe meqë përmendëm ushqimin? Nëse i planifikon pushimet edhe sipas restoranteve, Malta nuk zhgënjen. Nga pastizzi (petë të vogla me djathë që do t’i hash çdo ditë pa u  lodhur), te pjatat me fruta deti. Një nga pjatat më ikonike është çomleku me lepur (stuffat tal-fenek), e gatuar me hudhër, verë dhe bimë aromatike, një nga ato shije që nuk duhet ta lini pa provuar. 

Edhe për aventurierët, edhe për dembelët 

Nëse je tip aktiv, ka shumë për të bërë. Nëse je tip “dua vetëm të rri”, do të kalosh mirë edhe ti. Malta të lë ta zgjedhësh vetë ritmin: not në ujëra të kristalta, zhytje për të zbuluar shpella nënujore, hiking buzë shkëmbinjve, ecje përgjatë bregdetit drejt gjireve të fshehura, udhëtime me varkë, ture me biçikleta elektrike, thjesht një ditë e gjatë në  plazh etj.

Një nga udhëtimet më easy që mund të bësh  

Një nga arsyet pse e sugjerojmë është sepse ka udhëtime direkte me Wizz Air dhe  Ryanair. Të gjithë flasin anglisht, një pjesë flet edhe italisht (pra zero stres për  komunikimin). Është një ishull që mund ta eksplorosh pa pasur nevojë për të bërë një plan të jashtëzakonshëm paraprakisht. Mund të marrësh autobus për €1.50, mund të  përdorësh Uber/Bolt, mund të lëvizësh pa u lodhur në këmbë ose me biçikletë.

Një natë e qetë, ose jo dhe aq 

Edhe një detaj që nuk duhet anashkaluar: jeta e natës. Nëse je për darka të qeta buzë detit, i ke. Nëse do kokteje në perëndim, edhe ato i ke. Dhe nëse një natë të del nga kontrolli dhe përfundon në Paceville (a.k.a zona e party-ve), na beso që do ta mbash mend gjatë.

Ka një arsye pse do të të duket si film  

Gjasat janë që pasi të shkoni, Malta t’ju duket e njohur. Sigurisht që nuk do të thoni “kam qenë këtu më parë”, por mund të keni atë ndjesinë që të kujton diçka që nuk e lidh  dot menjëherë. Dhe jo pa arsye. Ishulli ka qenë sfond për disa nga produksionet më të  mëdha, si Gladiator, Troy, The Count of Monte Cristo, Game of Thrones apo Murder on the Orient Express. Shpesh i referohen edhe si "mini-Hollivudi i Mesdheut". Nuk  besojmë se e kanë zgjedhur rastësisht, por sepse ka një estetikë që nuk duket e ndërtuar për sot, mirëpo duket e përsosur në çdo kohë.E dimë që po e mendon seriozisht Maltën për udhëtimin e radhës. Hapi tjetër është shumë më i thjeshtë: për ide, guida dhe planifikim më konkret (pa u lodhur shumë), mund të shohësh platformën zyrtare të turizmit të Maltës, Visit Malta./ Anabel

Të fundit