Flash News

Rajoni

Ushtria serbe mohon të ketë planifikuar pushtimin e Kosovës

Ushtria serbe mohon të ketë planifikuar pushtimin e Kosovës

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç, mohoi të hënën akuzat e zyrtarëve në Prishtinë se ushtria serbe kishte planifikuar pushtimin e Kosovës, ndërsa nënvizoi se tashmë është ulur prania e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, në të cilën mohuan përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Serbisë janë një organizatë serioze, e fortë që nuk lejon asnjë improvizim apo gënjeshtër. Akuzat se Forcat e Armatosura të Serbisë kanë planifikuar pushtimin e Kosovës, kjo fyen intelektin”, tha gjenerali Mojsiloviç.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit, në të cilin një grup i armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Përgjatë përleshjeve që pasuan, tre sulmues mbetën të vrarë. Sulmi u mor përsipër nga Milan Radoiçiç nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Të dielën, autoritetet në Kosovë, publikuan në një konferencë shtypi pamje nga dronët e sekuestruar në Banjskë, të cilat sipas tyre dëshmojnë përfshirjen e shtetit serb në organizimin e sulmit. Në pamjet e publikuara shihet grupi i armatosur i cili sipas tyre ishte duke u stërvitur pak ditë para 24 shtatorit në një nga poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të hënën në rrjetet sociale se në “bazë të dokumentacionit të konfiskuar nga policia e Kosovës është konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të bashkërenduar në 37 pozicione të dallueshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, shkroi ai./ VOA

Të fundit