‘Skënderbeu’ në armën e terroristit, Kim Mehmeti: Shqiptarët të tregojnë kujdes, të mos nxitet debat për Heroin Kombëtar

Shkrimtari Kim Mehmeti ka komentuar përzgjedhjen e Brenton Tarrant, terroristi i Zelandës së Re, për të vendosur emrin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, në një prej armëve që përdori kundër qytetarëve dhe besimtarëve myslimanë.

Mehmeti kërkon nga shqiptarët që të tregojnë kujdes, pasi kjo mund të jetë një mënyrë për të nxitur thellimin e debatit brendashqiptarë se vallë Skënderbeu është ‘kalores i krishterimit’ apo i shqiptarisë, në një kohë kur anti-turqizmi dhe anti-islamizmi ballkanik, ka filluar të merr përmasat e frymëzimit global.

“49 njerëz mbetën të vdekur pas sulmeve në xhamitë e qytetit Christchurch në Zelandë të Re. Fillimisht u dyshua se ishte një sulm kundër emigrantëve, por emrat e shkruar në armët e përdorura, janë të personave që tregojnë se objektiv i sulmit ishin vetëm myslimanët. Ja pra, kjo është vazhda e ‘betejave’ mediatike kundër ‘terrorizmit islamik’, por të cilës ‘lufte’ nuk i jepet prefiksi – ‘terrorizëm i krishterë’. Dhe duhet thënë qartë: armët e mosdurimit ndërfetar i shkrepin idiotët e të gjitha feve, por ato i ‘mbushin’ me ‘municion’ ata që mbjellin urrejtje ndërfetare, ndëracore e ndëretnike. Sa për vrasësin e Zelandës së Re, mediat tona e thanë se ka dëgjuar muzikë serbe, se qëllim parësor ka shpartallimin e SHBA-ve dhe çlirimin e botës nga turqit e myslimanët! Dhe se mes emrave të shkruar në armët e përdorura nga vrasësi, ishte edhe ai i heroit tonë kombëtar, me çka mbase ka dashur ta nxitë thellimin e debatit brendashqiptarë se vallë Skënderbeu është ‘kalores i krishterimit’ apo i shqiptarisë! Andaj kujdes sepse, siç duket, anti-turqizmi dhe anti-islamizmi ballkanik, ka filluar të merr përmasat e frymëzimit global”, shkruan Kim Mehmeti.

Në një sulm të paprecedent, 28 vjeçari Tarrant vrau 49 njerëz në dy xhami të qytetit Christchurch, dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Ai filmoi të gjithë ngjarjen, ndërkohë që në makinë dëgjonte këngë që vlerësojnë figurën e Radovan Karaxhixh, i njohur si ‘Kasap i Bosnjes’, i dënuar me 40 vite burg për gjenocidin e Srebrenicës.