“Të fundit në rajon për çdo tregues ekonomik”, Tabaku citon Raportin e KE: Gjendja është dëshpëruese

Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku duke komentuar raportin e KE, që e cilëson Shqipërinë si një vend me ekonomi të ngadalësuar, thotë se këto janë detaje të krizës së thellë që ka kapluar ekonominë e vendit.

Tabaku, duke cituar raportin, thotë se Shqipëria është e fundit në rajon, duke shtuar se besimi konsumator dhe treguesit e besimit të biznesi po përkeqësohen dita-ditës.

Në fund të shënimit të saj Tabaku shprehet se e vetmja rrugë për t’i shpëtuar këtij ngërçi është një qeveri e drejtuar nga PD dhe opozita.

 

POSTIMI I TABAKUT

Të fundit në rajon për çdo tregues ekonomik!
Në garën rajonale për zhvillimin ekonomik Shqipëria vazhdon të jetë në fund të tabelës. Pasi qeveria dështoi të merrte qoftë edhe një projekt fitues në samitin e Poznan dhe një ditë pasi DASH raportoi se si na shohin investitorët e huaj, raporti i fundit i BE jep detaje të krizës së thellë që ka kapluar ekonominë tonë.
Sipas të dhënave për vendet e rajonit Shqipëria është e fundit në renditje për rritjen ekonomike. Kosova dhe Maqedonia kanë rritjen me të lartë ndërsa shqiptarët konsumojnë më pak dhe kanë investimet kapitale më të ulëta në rajon. Një monedhë e dobët dhe një inflacion nën 3% e përcaktuar nga BSH vazhdon të lëndojë ekonominë tonë.
Gjendja është edhe më dëshpëruese kur besimi konsumator dhe treguesit e besimit të biznesit po përkeqësohen dita ditës. Kurse të dhënat fiskale të taksave dhe tatimeve flasin për një ngërç ekonomik të bizneseve.
Ka një rrugë për të shpëtuar nga ky ngërç; taksat e ulëta, shkurtimi burokracive dhe subvencionimi i punës. Ka vetëm një mënyrë për të implementuar këto parime të tregut dhe pro-biznes, një qeveri e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Opozita shqiptare.