Flash News

KRYESORE

Anketimi/ Demokratët nuk duan koalicion me LSI; marrëveshjen Rama-Basha nuk e konsiderojnë pozitive

Në kulmin e partneritetit aktiv midis PD e LSI, më shumë se gjysma e delegatëve të PD (54%) janë kundër një koalicioni zgjedhor 2019 dhe 2021 me partinë e Monika Kryemadhit. Përqindja e atyre që janë pro këtij koalicioni është 37%.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka zhvilluar një anketim në Kuvendin Kombëtar të PD dhe sipas 46% e personave të pyetur, marrëveshja Rama-Basha nuk ishte pozitive. 42% mendojnë se kjo marrëveshje ishte një zhvillim pozitiv.

51% e demokratëve mendojnë se partia e tyre nuk duhet të vijojë bashkëpunimin me Partinë Socialiste për reforma të ndryshme, ndërsa 39% e duan një marrëveshje të tillë. Ajo që ishte interesante ka të bëjë me faktin se përqindja e atyre që duan një bashkëpunim me PS-në për reformat është më e lartë se përqindja e atyre që duan koalicion zgjedhor me LSI-në.

83% e anëtarëve të Kuvendit të PD-së mendojnë se zgjedhjet u humbën sepse kundërshtarët i blenë votat, ndërkohë që 52% mendojnë se në zgjedhjet brenda partisë nuk pati blerje apo manipulim të votave.

Demokratët shprehen në masën 94% se brenda partisë së tyre ka politikanë të korruptuar dhe 88% e tyre kërkojnë përjashtimin e kriminelëve dhe të korruptuarve.

Anëtarët e PD-së shprehen në favor të zgjedhjes së presidentit nga populli, nevojës për vetting në politikë, votimit të emigrantëve, votimit elektronik dhe depolitizimit të komisioneve të votimit.

Të fundit