Arrestimet në Librazhd pas vizitës së Ramës, Basha njofton konferencë urgjente

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike ka njoftuar një dalje urgjente nga ana e kryetarit, Lulzim Basha.

Kjo dalje e kryedemokratit ka lidhje me arrestimet nga ana e policisë e pas protestës së djeshme në Librazhd. Në pranga përfunduan 7 persona, mes tyre tre përfaqësues të PD.

“Kryetari Basha do të mbajë nën orën 10.30 një deklaratë urgjente për mediat pas arrestimit të drejtuesve të PD në qarkun e Elbasanit”, thuhet në njoftimin e zyrës së PD.

Njoftimi i policisë këtë mëngjes:

23 të proceduar ndër ta 7 të arrestuar për protestën e paligjshme  të organizuar pasditen e datës 13 qershorit në hyrje të qytetit të Librazhdit

Policia e Librazhdit bazuar në pamjet filmike, dhe raportet e shërbimit, ka bërë arrestimin në flagrancë të 7 personave  për veprat penale të “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’’ “Pengim i subjekteve zgjedhore”, konkretisht:

– B.V., 48 vjeç, (Kryetari i Degës së PD-së Librazhd);

– A.B., 53 vjeç, nga, Elbasani (ish deputet i PD);

– A.K., 43 vjeç, nga Përrenjasi;

– E.G., 32 vjeç, nga Librazhdi (sekretari i PD-së, dega Librazhd);

– D.B., 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik;

– L.O., 31 vjeç, nga Piskashi;

– B.K., 54 vjeç, nga Librazhdi.

Po kështu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për të njëjtat vepra penale edhe për 16 shtetas të tjerë.

Arrestimi dhe proçedimi  i këtyre personave u bë pasi në datën 13.06.2019, rreth orës 18:00 këta shtetas janë grumbulluar në rrugën nacionale në hyrje të qytetit të Librazhdit tek kryqëzimi  i Përrenjasit dhe në vijim kanë tentuar që të bllokojnë rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, në hyrje të qytetit të Librazhdit, duke penguar eskortën e Kryeministrit dhe kanë goditur eskortën me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike.

Materialet proçedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.